Në muajin janar, Kombëtarja shqiptare uli në stol Silvinjon, i cili menjëherë sapo mori detyrën prezantoi edhe dy ndihmësit e tij, Dorivën dhe Pablo Zabaletën, për të cilin britanikja “The Sun” në një ndër rubrikat e saj ka publikuar një profil, duke nisur nga karriera e tij dhe jeta jashtë futbollit e pasuria.

PROFILI- Pablo Havier Zabaleta Girod ka lindur më 16 janar 1985 në Buenos Aries nga Horge Zableta dhe Laura Girod. Ai është me origjinë spanjolle dhe ka një tatuazh me emrin e nënës së tij në gjoks. Zabaleta ishte i aftë që të luante në të dyja krahët e mbrojtjes, gjithashtu i njohur për stilin e tij të një loje të fortë dhe këmbëngulëse. Megjithatë, ai luajti kryesisht si mbrojtës i djathtë. Zabaleta e filloi karrierën e tij në San Lorenco, ku qëndroi nga 2002-2005. Më pas ai kaloi tek Espanjoli, duke bërë 79 paraqitje dhe fituar Kupën e Mbretit dhe finalen e Kupës UEFA. Më së shumti Zabaleta veshi fanellën e Mançester Sitit, gjithsej për nëntë vite, duke qenë edhe kapiten i skuadrës në 2013-ën. Ai u bashkua me “qytetarët” në vitin 2008 dhe gjithsej bëri 230 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Gjatë kësaj kohe shënoi nëntë herë, fitoi titullin e Premier Ligës në 2012- ën dhe 2013-ën, fitues i Kupës FA në 2011-ën, “FA Community Shield” në 2012-ën dhe dy herë fitoi Kupën e Ligës në 2014-ën dhe 2016-ën. Ai u largua nga klubi në vitin 2017 pasi nënshkroi për Uest Hemin dhe vari këpucët në tetor 2020 në moshën 35-vjeçare. Në qershor 2018, Zabaleta iu bashkua ekipit të “BBC”-së në “Match Of The Day” 2018 në Kupën e Botës.

Që nga janari i vitit 2023, ai ka shërbyer si ndihmëstrajner i Kombëtares shqiptare të futbollit, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo. Gjatë karrierës së tij, Zabaleta ishte një yll ndërkombëtar me Argjentinën e tij. Debutoi në 2005-ën dhe mori pjesë në Lojërat Olimpike Verore 2008 , ku ekipi mori medalje të artë. Ai nuk u përzgjodh nga trajneri Diego Maradona për Kupën e Botës 2010, por ishte pjesë e skuadrës në 2014-ën në Rio, Brazil. Ai luajti në finale kundër Gjermanisë, pasi ekipi i tij humbi 1-0. Sa i përket jetës jashtë futbollit, Zabaleta u martua me gazetaren Kristel Kastano në vitin 2013 dhe kanë dy fëmijë, Asier dhe Julen. Pasuria neto e vlerësuar e Zabaletës është 14 milionë paund, e fituar përmes karrierës së tij futbollistike dhe televizive.