Duke analizuar çmimet e bregdetit kroat, “RTL” shtron pyetjen nëse Kroacia do të mbetet e aksesueshme për shumicën e turistëve apo do të bëhet një destinacion i rezervuar për të pasurit. Është vënë re një rritje e ndjeshme e çmimeve të shërbimeve të ndryshme, përfshirë restorantet dhe objektet hotelierike.
Sipas “RTL”, mund të vërehet se shpenzimet në Kroaci janë rritur ndjeshëm. Edhe për gjërat bazë si një top plazhi apo akullore, turistët tani duhet të gërmojnë thellë në xhepat e tyre. Rritje të ndjeshme janë shënuar edhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve nëpër restorante, shkruan portali gjerman.
Kroacia dikur ishte e njohur për çmimet e saj të përballueshme, duke tërhequr turistë nga e gjithë bota. Tani, situata ka ndryshuar, por megjithatë vendi është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara të pushimeve. Pyetja është nëse kjo tendencë është e qëndrueshme duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, vazhdojnë gjermanët. Për shembull, në Dubrovnik çmimi i një luge akullore arriti deri në pesë euro, ndërsa në Rovinj një burger kushton 22 euro. Përmendet shembulli i Shibenikut, ku çmimi i një Aperol Spritz është 11 euro.
Artikulli shqyrton arsyet për këtë rritje të çmimit. Një nga faktorët është shkalla e lartë e inflacionit në Kroaci, krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Gjithashtu theksohet se pasojat e pandemisë janë ende duke u ndjerë, dhe futja e euros në fillim të vitit ndikoi më tej në ndryshimin e çmimeve.