Borxhi publik në fund të gjysmës së parë të vitit vijoi trajektoren rënëse. Sipas buletinit statistikor mbi borxhin publik të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, në fund të 6-mujorit të parë të këtij vitit, borxhi publik arriti në 64.78 % të PBB-së.
Ministria e Financave dhe Ekonomis përmes politikave të saj thotë se po punon për konsolidimin fiskal, ku synimi kryesor është reduktimi i borxhit public. Ndër vite është punuar shumë në drejtim të pasjes së një portofoli me risqe të reduktuara, sidomos përmirësime të ndjeshme janë bërë në treguesit e rifinancimit dhe ato të riskut të interesit në borxhin e brendshëm. Të dhënat tregojnë se borxhi publik rezulton në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit. Sipas treguesve, borxhi publik në fund të vitit 2022 zbriti në 64.58 % të PBB-së, çka rezulton 10 pikë përqindje më i ulët se fundi i vitit 2021.
Në shifra stoku i borxhit publik në fund të muajit qershor të këtij viti, arriti 1, 409,798 milionë lekë, nga të cilat stoku i borxhit të brendshëm llogaritet 763,090 milionë lekë, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm llogaritet 646,708 milionë lekë. Për herë të parë që nga viti 2015, borxhi i jashtëm rezulton nën nivelin 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sa i përket disa treguesve të borxhit, yield-i mesatar i bonove të thesarit në ankandin e fundit të qeverisë rezultoi 3.13 %. Yield-i i bonove 12-mujore mbeti kështu pranë niveleve më të ulëta prej një viti, ku normat dhe interesat filluan të rriteshin në mënyrë të përshpejtuar.
Menaxhimi i portofolit të borxhit publik gjatë 4 viteve të fundit është përballur me sfida si rezultat i situatës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, përhapja e pandemisë COVID-19, dhe së fundmi nga kriza globale për shkak të invazionit rus në Ukrainë.