Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, do të presë nesër në vizitë zyrtare Ministren për Punët e Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly. Vizita e Ministres së Jashtme kanadeze në Shqipëri vjen si pjesë e turit të saj në Evropë, që përfshin Slloveninë, Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë.
Kjo është vizita e dytë e një Ministri të Jashtëm kanadez në Tiranë, në harkun kohor prej 9 vitesh. Vizita e Ministres Mélanie Joly në Shqipëri dëshmon për intensifikimin e shkëmbimeve dhe dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.
Marrëdhëniet politike dhe diplomatike Shqipëri-Kanada janë zhvilluar akoma më shumë gjatë këtyre viteve, me ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të ndërsjellë.
Të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe si aleate në NATO janë të angazhuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Ministrja e Punëve të Jashtme e viziton Shqipërinë në një kohë kur roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur ndjeshëm, ku spikat roli aktiv i Minsitres Joly, dhe kur vendi ynë prej më shumë se një viti e gjysëm shërben si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB dhe gjatë muajit shtator do të ketë Presidencën e radhës të KS.