Egnatia i është afruar shumë pranë historisë. Klubi shqiptar është mposhtur 4-2 në miqësoren shumë prestigjioze me nënkampionët e Europës Interin, por deri në minutën e 78 rrogozhinasit udhëhiqnin me shifrat 1-2 në stadiumin e Ferrara-s në Itali.

Dwamena zhbllokoi që në minutën e 6 miqësoren, duke shtangur zikaltërit, ndërsa pas shumë e shumë tentativash të besuarit e Inzaghit barazuan me Barrela-n në pjesën e dytë. Gjithsesi makthi i italianëve ndaj Egnatias nuk mbaroi me kaq, pasi Fernando riktheu Egntian në avantazh me penallti. Në të njëjtën mënyrë Lautaro i çoi shifrat në 2-2 në minutën e 79, por 11 metërshi i fituar nga argjentinasi krijoi shumë polemika, pasi kontakti në zonë ishte i dobët.

Gjithsesi më tej Interi realizoi edhe dy herë të tjera me Martinez sërish dhe Stabile, ndërsa pavarësisht humbjes Egnatia zhvilloi një paraqitje për kornizë ndaj një prej skuadrave më të forta në Europë. Edhe mesfushori shqiptar i Interit Kristjan Asllani, i cili u aktivizua për disa minuta, vlerësoi rrogozhinasit e drejtuar nga Edlir Tetova.

“Sot Egnatia na vendosi në disa momente në vështirësi, por e rëndësishme ishte që të merrnim minuta dhe të bëhemi gati për kampionatin. Jemi kompakt në fushë dhe kjo ka rëndësi në këto momente,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i Interit.

Interi më 19 gusht do të nisë sezonin e ri në Seria A teksa në San Siro do të prezë Monza-n, ndërsa për Egnatian vlerësimet nuk erdhen vetëm nga Kristjan Asllani, por edhe nga mediat italiane.