Pas takimit në Pogradec me ministrat, Kryeministri Rama ndau një videomesazh në një lidhje live në Facebook.

Ai u tregoi se çfarë u diskutua në mbledhje, teksa u ndal edhe te mënyra se si do të funksionojë Pasqyrë ‘Albania’.

“Diskutuam pozicion lidhur me qasjen e re të PS për reformën territoriale, deri te një sërë programesh të tjera që prekin disa sektorë. Pa harruar dhe ecurinë e punës që tani më është puna e projektuar qysh në krye të herës. Besa është tanimë një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë në raportin shtet-qytetar dhe qytetar-shtet. Besën e shohim si një akronim dhe jo thjesht si fjalën më të vyer të kulturës dhe historisë shqiptare. Një akronim që thotë besim, empati, shërbim dhe angazhim. Me këtë tok fjalësh kemi përcaktuar edhe hapat që do të ndiqen për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien, duke pasur parasysh që disponojmë dy baza të rëndësishme.

Baza teknologjike e E-Albania, që i shtohet edhe baza Pasqyra Albania. Është një dritare ku secili ka autonominë e vetë, për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet. Nuk është thjesht halli, kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një pako që çohet me postë dhe statusi që ndiqet në kohë reale, që mbart përgjegjësinë e afateve, por është edhe pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumente përballë atij ndërmjetësi të padukshëm që ka hyrë në jetët tona, që është algoritmi. Nuk flas për një portal propagandistik, një portal se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen, por flasim për një pasqyrë ku shteti tregon se çfarë po bën”, tha Rama.