Presidenti Bajram Begaj nuk do të marrë pjesë në darkën informale që do të mbahet në Athinë më 21 gusht. Presidenca bën me dije se Shqipëria s’do të jetë pjesëmarrëse në këtë darkë për shkak të agjendës. “Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë.

Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”- u përgjigj presidenca për Euronews Albania. Pak më parë, mediat greke kanë bërë me dije se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e takimit të Liderëve të Ballkanit në Athinë. Prezent do të jenë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i RMV-së, Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo.

“Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk mundi të përgjigjet pozitivisht,”- shkruan mediat.