Me qindra vendas e turistë u bënë bashkë në aktivitetin Mokra N’Fest, që u zhvillua për të katërtin vit në afërsi të urës së Golikut, një ndër atraksionet kryesore historike e kulturore të Pogradecit.
Ndryshe nga vitet e tjera, risia e këtij viti ishte shtrirja e aktiviteteve përgjatë dy ditëve duke shtuar edhe larminë e festimeve.
Në ditën e parë të festës u organizuan sporte të ndryshme ujore dhe gara muzikore e karaokeve në mbrëmje.
“Është viti i dytë që po e ushtrojmë këtë sport në lumin Shkumbin. Është një risi në zonën tonë. Ky sport ndërthur hiking, ecjen dhe lundrimin në lum”, tha një sportist,
Ndërsa në ditën e dytë artistët vendas shpalosën vallet popullore e këngët e krahinës. Por vend të rëndësishme zunë edhe gatimet tradicionale dhe kulinaria e zonës.
Për amvisat e zonës, kjo festë e kthyer në traditë promovon gatimet dhe prodhimet e tyre dhe u jep mundësi vizitorëve të ndryshëm që t’i shijojnë.
“Vij nga Leshnicë e Pogradecit, ku kam hapur një punishte tradicionale që punojmë brumëra në mënyrë tradicionale”, tha një amvisë.
“Jemi tre motra që merremi me centro, çanta. E kemi pasion këtë punë”, tha një tjetër.
Për pjesëmarrësit këto festa përveç se janë mbështetje për ekonominë e banorëve, i bashkojnë dhe me njëri- tjetrin.
“Më mirë sivjet se sa një vit më parë”, tregoi një zonjë.
“Kemi ardhur se jemi të moshuar, për qejf, të shohim të rinjtë e të reja”, tha një tjetër.
Kryetari i bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli tha se “Mokran N’festë”, çdo vit do të organizohet në destinacione të ndryshme të me qëllim promovimin e traditave dhe zakoneve të gjithë krahinës.
“Kjo është një zonë me tradita të lashta, kulturore, patriotike. Mundohemi që me këto vesta të njohim qytetarët e Shqipërisë me vyrtytet e kësaj zone. Ne na bie për detyrë që të bëjmë atë rrugën që këta kërkojnë vazhdimisht”, tha Ilir Xhakolli, kryetar i bashkisë Pogradec.
Ky është viti i katër që kjo festë organizohet duke shtuar edhe numrin e pjesëmarrësve dhe vizitorëve.