Kryeministri Rama i ka kushtuar një konferencë për shtyp shpimit në Shpirag, rezultatit që pritet të dalë prej aty, duke thënë fillimisht se bëhet fjalë për naftën e një cilësie si ajo e Arabisë Saudite.

“Pas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nis me tre miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi të fillojë puna për një sërë shpimesh për nxjerrjen e kësaj pasurie është shtatë miliardë euro. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës për depozitimin e rezervës dhe ndarjen në gaz, naftë dhe sulphur. Kjo e treta ka rëndësi të të veçantë pasi krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë një bazë për prodhimin e produkteve kozmetikë”, tha Rama, duke pikturuar atë që shpreson e beson se do të ndodhë.

Por a është 100% e mundshme kjo?

“Rezerva është aty, në 2002 km në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave si rezultat i formacionit gjeologjik. Ende nuk është cekur uji, që është nën rezervën, çka prezumon që madhësia e rezervës mudn të jetë edhe më e madhe. Nuk flasim dot për shifra konkrete.

Informacionet në këtë fazë janë jo vetëm konfidenciale, por pa marrë rezultatin e testit final që përcakton nëse nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare. Nëse do ishte më e kushtueshme se sa përfitimi, kuptohet që rezerva mbetet aty për një kohë tjetër kur teknologjia mund të avancojë në përmasa që sot nuk janë.

Testi do nisë në tetor dhe rezultatet bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe”, sqaroi ai.