Më 2010 Kina investonte në Serbi 2,4 milionë euro. Më 2022 – 1,4 miliardë. Këto shifra tregojnë ndryshimet gjeopolitike në rajon, bën të ditur Fondacioni gjerman “Stiftung Wissenschaft und Politik”. BE po përpiqet t’i kundërpërgjigjet konkurrencës gjeopolitike – me para dhe me ide për oferta të reja politike.
Ndikimi politik i Bashkimit Europian në Ballkanin perëndimor viteve të fundit ka rënë dukshëm, por në fushën e ekonomisë roli i BE-së mbetet i madh. 80 për qind e eksporteve të gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut) shkojnë në BE.
Gati 60 për qind e importeve vijnë nga andej. Rajoni është qartë i orientuar drejt BE-së, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke u bazuar në një studim të Fondacionit gjerman “Stiftung Wissenschaft und Politik”. Ky fondacion këshillon qeverinë dhe parlamentin gjerman – dhe financohet nga shteti gjerman. Akterë të tjerë si Kina, për shembull, janë duke rritur ndikimin në Ballkan. Në Serbi vlera e investimeve kineze më 2010 ka qenë 2,4 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë. Sipas burimit të njëjtë më 2022 investimet kineze në Serbi arritën në 1,4 miliardë euro. Më 2022 Kina ka qenë investitori më i madh individual në Serbi, vetëm si tërësi e shteteve BE me 1,46 miliardë euro investime gjendet para Kinës, theksohet në analizën e Fondacionit “Stiftung Wissenschaft und Politik”.
Rritja e ndikimit ekonomik të Kinës në rajon është e pamohueshme, ndonëse bëhet fjalë kryesisht për kredi dhe jo për investime kineze. Shtetet e rajonit marrin kredi te bankat kineze për të financuar projektet e mëdha si ura, autostrada apo hekurudha, të cilat ndërtohen nga firmat shtetërore kineze. Rasti më eklatant është Mali i Zi. Ky shtet mori më 2014 një kredi prej më shumë se 800 milionë euro për të ndërtuar nga Kina një copë autostradë prej 45 kilometrash. Kjo rrugë pritet të zgjatet një ditë dhe të lidhë Adriatikun dhe Podgoricën me Beogradin. Aktualisht autostrada përfundon në një fushë. Shuma e kredisë kap një të pestën e fuqisë vjetore ekonomike të Malit të Zi. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” BE mbetet e rëndësishme në rajon si akter ekonomik, por konkurrenca gjeopolitike nuk është duke fjetur.
Edhe Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia po ndjekin interesat e tyre në rajon. Investimet nga Emiratet qëndrojnë pas projektit “Beogradi në ujë”, i cili me godinat e larta, qendrat tregtare dhe zyra e ka ndryshuar dukshëm siluetën e kryeqytetit të Serbisë. Bashkimi Europian është duke u përpjekur të kundërpërgjigjet. Brukseli po mbështet 9 projekte në fushën e energjisë dhe infrastrukturës në vlerë prej 9 miliardë euro. Krahas këtyre mjeteve synohet të sigurohen edhe 20 miliardë euro nga institucionet e tjera financiare ndërkombëtare. Kjo është një përgjigje direkte ndaj Kinës dhe Rusisë, analizon fondacioni gjerman.
Për të forcuar ndikimin politik në rajon BE duhet të bëjë oferta politike. Partia opozitare gjermane CDU/CSU ka propozuar që para pranimit të vendeve të Ballkanit në BE të hapet tregu i përbashkët i BE-së, siç është vepruar në rastin e Finlandës, Suedisë dhe Austrisë në kuadër të anëtarësimit të tyre në hapësirën ekonomike europiane./Koha.net