Në traget për në Shqipëri me turistë low cost: ‘Ikim nga çmimet e çmendura të Italisë!’ – ( Në origjinal: ‘Sul traghetto per l’Albania con i turisti del low cost: “In fuga dai prezzi pazzi dell’Italia” – është titulli i reportazhit të gazetarit italian Davide Carlucci publikuar në “la Repubblica”, gazetë e përditshme tepër e njohur në Itali. Të shumtë janë ata që zgjedhin të kalojnë Adriatikun nga Bari për të kaluar pushimet në Shqipëri, pasi pushimet në gadishull janë të shtrenjta kudo.

Shkrimi i plotë:

‘Më mirë në Shqipëri’ Në tragetin low cost

Durrës – Në radhë në terminalin e portit të Barit, mes fytyrave të rraskapitura të emigrantëve tashmë të moshuar që kthehen në shtëpi për pushime.

Çanta shpine shumëngjyrëshe, shishe uji, çanta vajzash, pajisje zhytjeje, kapele kashte. Më pas, si zakonisht bisedat e zhurmshme të italianëve që në grupe shkojnë në pushime.

Një çift përpiqet të qetësojë pasardhësit e tyre të tensionuar. Janë të lodhur: Janë nisur nga Roma me makinë, natën për të marrë tragetin e orës 13:00. Kryefamiljari Andrea është 52 vjeç:

“Italia – thotë ai – e kemi përjashtuar nga projektet tona tashmë pas pandemisë. Vitin e kaluar shkuam në Greqi dhe kaluam mirë. Kroacisë, tani që është futur në euro, është më mirë të mos i afrohesh. Të shohim si do të shkojë në Shqipëri”.

Ai dhe gruaja e tij, Valentina, 52 vjeç, e jetojnë si “një bast”. Rezervuan dy javë më parë, tani janë në bordin e anijes Francesca della Gnv, me destinacion Durrësin.

Në rrugën që dikur kishte vetëm një drejtim, ikjen nga varfëria e një populli që sapo kishte hyrë në demokraci pas dekadash komunizmi, tani po ndodh një tjetër arratisje, pak më diskrete, sigurisht më pak dramatike, por gjithsesi e shtyrë nga një lëvizje ekonomike.

“Pushimet në Itali janë të shtrenjta kudo – ta pret shkurt Andrea – ne shkuam në Santa Maria di Leuca para Covidit edhe atëherë çmimet ishin të larta. Kam lexuar nëpër gazeta sesi menaxherët e plazheve justifikohen këto ditë dhe më bën të qesh. Ata thonë se synojnë njerëzit më të pasur. Por nuk e bëjnë dot me tualete portative”.

Çifti prenotoi për vete dhe dy fëmijët e tyre 16 dhe 19 vjeç në tre hotele në Tiranë, Sarandë dhe një tjetër me vendndodhje në jug.

“Kemi paguar gjithsej 1200 euro, plus 850 euro për tragetin me makinë në bord. Pak shumë, por ende e përballueshme. Tani do të shohim sa do të shpenzojmë për ushqimin, na thonë se edhe atje janë rritur çmimet por sigurisht jo aq sa në Itali”.

Angela dhe Raffaele u nisën nga Caserta. Ajo punon në një laborator analizash, ai është punëtor në një kompani instalimesh elektrike.

“Vitin e kaluar shkuam në Polignano a Mare, paguam 540 euro për tre netë. Vend i mrekullueshëm, qielli pamjet nga shkëmbi. Por këtu me 1380 euro mund të përballojmë nëntë ditë, dy në Tiranë, tre në Vlorë dhe katër në Sarandë, një hotel me katër yje me pamje nga deti, përveç udhëtimit me traget me makinë”.

Fabio organizon gara me motorë në Treviso:

“Si turist, është hera e tretë që shkoj dhe nuk do të ndalem së shkuari. Shkuam në Kroaci në qershor dhe është tepër e shtrenjtë: një kafe kushton tre euro”.

Leonardo Atene, 39 vjeç nga Trebisacce, në provincën e Kozencës bën shaka:

“Kam udhëtuar nëpër botë, kam qenë me pushime kudo, tani paratë kanë mbaruar dhe po shkoj në Shqipëri” .

Shkon të qëndrojë me miqtë. Sepse një tjetër pikë e fortë e turizmit italian në Tokën e Shqiponjave është se thith ajrin e shtëpisë, mes të afërmve të sapo fituar dhe miqësive të konsoliduara.

Marco Giommetti, për shembull, është një profesor i matematikës dhe fizikës nga Pesaro.

“Do të jem mysafir i Florianit, një ish-miku universitar me origjinë shqiptare që është inxhinier në Bolonja. Kam qenë edhe vitin e kaluar, në Shqipëri. Jam ndjerë si Zot. Një darkë e bollshme me peshk të kushton maksimumi 25 euro, në Itali të kushton dyfishin. Njoh gjithnjë e më shumë njerëz që po zgjedhin të vijnë këtu. Edhe mamaja ime dëshiron të blejë një shtëpi!”.

Historia personale e Ingrid Papës, mësueses së pianos, tridhjetë e gjashtë vjeçare, përzihet me erërat që fryjnë mes dy brigjeve të Adriatikut.

“Gjyshja ime ishte italiane, ishte në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Unë jam në Romë që nga viti 1992, kam ardhur me prindërit e mi dhe tani doja të merrja me vete të dashurin për të rizbuluar origjinën time”.

Nga ana tjetër, Benjamin dhe Katherine janë doktorantë në filozofi, ai është italiano-amerikan, ajo është zvicerane nga Berna:

“Ne nuk shkojmë në det. Do të flemë në një bujtinë në Durrës dhe prej andej do të eksplorojmë qytetet, do të shkojmë në Mal të Zi ku ka jetuar babai im”, thotë Benjamin.

Familje të tëra të shtrira kalojnë pasditen e gjatë të udhëtimit, dikush ka sjellë jastëkun e vet për të fjetur.

Ka mbetur shumë pak në këtë anije nga udhëtimet e vjetra në vitet nëntëdhjetë: tani Shqipëria prezantohet si një botë ende e virgjër për t’u eksploruar, por e gatshme për të qenë horizonti i dëshirave intelektuale dhe bredhjeve endacake.

Shqiptarët mirëpresin evropianët që i pritën kur kishin vështirësi për të jetuar. Ata ia kthejnë mikpritjen, por tani jo më me shumë komplekse inferioriteti.

Fejzi Kokla është 56 vjeç, gjysmën e jetës e ka jetuar në Kremona, ku punon si metalpunues. Fëmijët e tij janë maturantë dhe njëri nga të dy, pak ditë më parë e bëri gjysh për herë të parë.

“Në fillim tek ne vinin vetëm ata që kishin kurajo. Kanë qenë ata që më pas kanë përcjellë fjalën, i shpjeguan se ne nuk ishim si ata që u arratisën nga burgjet që na dëmtuan imazhin në vitet ’90. Dhe pastaj ata ndërtuan rrugë të reja, hotele. Së fundi, Shqipëria njihet për atë që është: një vend i bukur dhe i civilizuar për të shkuar me pushime”.