Sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend ka arritur në nivelin më të lartë në një vit. Pas rekordit të shënuar në qershor, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se muajin e shkuar paraja “cash” u rrit në mbi 409 miliardë lekë. Me kursin aktual të këmbimit kjo shumë do të ishte gati 3.9 miliardë euro. “Në mungesë absolute është mungesa e kontrollit dhe vëmendjes. Kjo lidhet me interesit e shtuar të atyre që kanë përjetuar ditë të mira nga qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar”, tha Flobens Dilaveri, ekspert për ekonominë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se krahasuar me korrikun e një viti më parë, sasia e parave jashtë bankave është zgjeruar me mbi 34 miliardë lekë. Sasia kaq e lartë e parasë jashtë kontrollit të bankave është rrezik potencial i pastrimit të parave dhe arsyeja kryesore e deformimeve në kursin e këmbimit. “Kjo ka bërë që edhe vetë banka e Shqipërisë të japë informacione jo ezauruese lidhur me atë që po ndodh te kursi i këmbimit valutor”, shtoi ai.
Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 1.63 bilionë lekë, paraja informale përbën 24 për qind të totalit. Po çfarë do të thotë kjo për ekonominë në përgjithësi dhe qytetarët në veçanti?
“Kjo do të thotë më shumë informalitet, më shumë inflacion dhe destabilizim të kursit të këmbimit siç aktualisht po ndodh”, vijoi Dilaveri. Shqipëria ka nivelin më të lartë të parasë jashtë bankave se shtetet e tjera të Rajonit dhe Evropës. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9 për qind e totalit. Në vendet e rajonit treguesi është në nivelin 10 për qind.