Pensionistët shqiptarë që jetojnë në Itali janë ngritur në protestë për ngadalësimin e procedurave për njohjen e pensioneve.
Pensionistët protestojnë para ambasadës italiane në Tiranë, pas pak do shkojnë te kryeministria.
“Jetojmë me 15000 lekë dhe jetojmë në kushte të vështira. Kam 32 vite në Itali dhe aty kam vënë re humanizëm për këdo. Pyetje që i bëj vetes është Meloni çfarë është? Mjafton një firmë edhe mbaroi.”- tha pensionisti.
“Kam 30 vjet që punoj në Itali dhe kam dhënë kontribut të rëndësishëm në atë vend. Më takon, duhet të hipi shkallët për të nxjerrë bukën e gojës. Unë dua të me hedhin kontributet shqiptare dhe italiane, dua dinjitetin dhe djersën time.
Duam djersën, mundin, Të jeni të bindur se do e çojmë zërin tonë para parlamentit italian. Kam të drejtë të votoj në Itali po s’kam në Shqipëri? Po është turp more! Ju nuk doni more, se i blini këtu, ne nuk blihemi. Duam djersën, jemi këtu vetëm për pensionet këtu.”- tha një protestues.
Ambasadori italian në Shqipëri, Bucci u ka garantuar pensionistëve që protestuan sot në ambasadën italiane se gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt. Ai shprehet se pala italiane po bën maksimumin për ta zgjidhur këtë çështje.
“Më bëhet qejfi t’iu njoh. Më duhet t’iu siguroj që nga pala italiane po bëhet maksimumi për ta zgjidhur këtë problem. Kemi folur për të arritur një dakordësi me palën shqiptare. Ne jemi tani në momentet e fundit të dakordësimit, mungojnë pak gjëra. Në javët e ardhshme apo maksimumi në muajit e ardhshëm do të realizohet firmosja e marrëveshjes italo-shqiptar. Ka qenë pak e vështirë sepse ka pasur disa teknikalitete për procedurë. Keni fjalën time, që nga pala italiane po bëhet maksimumi. Bëni pak durim.”- thotë Bucci.