Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar aksionet e rrepta të Policisë Rrugore të Tiranës kur bëhet fjalë për “shkelësit arrogantë” të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në postimin e tij Balla shkruan se ndër burimet e trafikut në Tiranë janë edhe parkimet e gabuara mu në mes të rrugës apo drejtimi i mjetit duke përdorur njëkohësisht edhe telefonin.
Ministri i Brendshëm thekson se shkelje të tilla jo vetëm që nuk duhet të tolerohen, por që do të ndiqen nga autoritetet përkatëse teksa bëri thirrje për ndërgjegjësim të qytetarëve për respektimin e këtyre rregulla.
Reagimi i Ballës
Një shembull i mirë po vjen nga njësitë e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë, qasje e cila po shtrihet tashmë në të gjithë territorin. Policia do të ketë një nivel tjetër komunikimi me qytetarët, pa zbehur tolerancën zero për “shkelësit arrogantë” të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ju sjell në vëmendje se një ndër burimet e trafikut në Tiranë janë edhe parkimet e gabuara mu në mes të rrugës apo drejtimi i mjetit duke përdorur njëkohësisht edhe telefonin. Këto shkelje të Kodit Rrugor janë të ndërshkueshme dhe nuk duhet të tolerohen. Do të vazhdoj ta them se si Ministër i Brendshëm nuk më gëzojnë “sukseset” e gjobave, por ndjesia e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është polici pas kthesës apo semaforit, por sepse kështu mbrojmë jetët e të gjithëve. Ndiqni këto shembuj komunikimi këshillues me qytetarë të rastësishëm në Tiranë mbi ndërgjegjësimin e respektimit të Kodit Rrugor. Nuk mungojnë as gjobat maksimale për “shkelësit arrogantë”.