Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë për “News Line” në ABC News komentoi gjithashtu edhe punën që po bën SPAK. I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj nëse drejtësia e re po godet vetëm majtas, analisti theksoi se SPAK duhet të merret së pari me çështje të mëdha që kanë kushtuar jetë njerëzore.

“Po anon vetëm majtas. E vërtetë është që do të duhet të anonte kryesisht majtas sepse është pushteti dhe ka një pushtet që konsumohet si i tillë prej 10 vitesh. Drejtësia do të duhet të anonte jo vetëm për komoditet dhe apriori drejt palës që mban në dorë frenat e pushtetit por do të duhet të anonte drejt palës që ka shkelur më thellë dhe më rëndë ligjin.

Një njeri që akuzohet për vjedhje nuk do ta gjykoja para një njeriu që akuzohet për vrasje. Mendoj se ka ardhur koha që SPAK të vërë dorë jo për ekuivalencë, por për të qenë objektiv, i drejtë dhe i vërtetë, dhe të marrë dorë ngjarje që presin prej vitesh dhe që kanë kushtuar jetë njerëzore. Ngjarje të rënda nuk duhen harruar.

Nëse jemi në epokën e një drejtësie të re, duhet të gëzojmë frytet e një drejtësie të re dhe jo të konsumojmë të njëjtat akuza dhe pritshmëri prej shumë vitesh ndërkohë që nuk ndodh asgjë. SPAK është i mirëpritur që të vazhdojë të gjithë luftën që ka nisur kundër fenomenit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë duke sjellë prova, duke çuar dosje dhe formuluar akuza konkrete ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, të majtë dhe të djathtë. Ka ardhur koha që SPAK të godasë pa parë në sy askënd dhe pa lexuar emrin në pasaportë”, përfundoi analisti.