Papa Françesku në deklaratën e tij të fundit këtë të martë është shprehur se ka shumë nevojë për reflektim global përsa I përket rreziqeve të mundshme të inteligjencës artificiale, duke vënë në dukje “potencialin shkatërrues dhe efektet e diskutueshme të teknologjisë së re”.

Mediat shkruajnë se papa ka thënë se ai vetë nuk di ta përdorë kompjuterin por është shprehur i shqetësuar në lidhje me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndaj në mesazhin e tij në Ditën e ardhshme Botërore të Paqes të Kishës Katolike, ka kërkuar më shumë vëmendje në këtë drejtim.

Papa “kujton nevojën për të qenë vigjilentë dhe për të punuar në mënyrë që logjika e dhunës dhe e diskriminimit të mos zërë rrënjë në prodhimin dhe përdorimin e pajisjeve të tilla, në kurriz të më të brishtëve dhe të përjashtuarve”.

Ndërkohë në vitin 2015, Papa Françesku pranoi se nuk i pëlqen teknologjia, por ai i ka quajtur gjithashtu internetin, rrjetet sociale dhe mesazhet e mesazheve “një dhuratë nga Zoti”, me kusht që ato të përdoren me mençuri.

Ndërsa në vitin 2020, Vatikani bashkoi forcat me gjigantët e teknologjisë Microsoft dhe IBM për të promovuar zhvillimin etik të inteligjencës artificiale dhe për të bërë thirrje për rregullimin e teknologjive ndërhyrëse si njohja e fytyrës.