Një ditë më parë në Kukës janë zhvilluar primaret për të zgjedhë kandidatin e ri në zgjedhjet e shtatorit për kryebashkiakun e ri, ku duket se PD vijon që të jetë e pakordinuar në lidhje me një emër të përbashkët.

Analisti Frrok Çupi në fjalën e tij shprehet se Basha nuk mund të dalë me një kandidat të tijin në Kukës, pasi sipas tij ai nuk ka mbështetje nga demokratët e Kukësit të cilët më shumë lidhen me figurën e Berishës sesa me partinë.

“E ka formale ose të pamundur me dalë me një kandidat, Kukësi dhe disa fshatra të tjerë të Tropojës kanë qenë domene të Berishës dhe jo të PD ato që kanë kryesuar PD në Kukës kanë një grup njerëzish shumë kundërshtarë të Bashës dhe ato kanë punuar shumë që ai të mos pranohet në Kukës dhe e treta Basha vetë nuk ka punuar për këtë zonë.

Ajo që po ndodh në Kukës është një gjë thelbësore për PD-në për të kuptuar se ç’po bën dhe nëse në një zonë ku ke ngritur alibi për luftë krahinore të qeverisë dhe për rebelim kundër atdheut të shkosh dhe mos ta fitosh do të thotë se PD duhet që të kthehet dhe të pushojë për sa kohë dhe mos funksionojë në këtë mënyrë.

Jemi shumë larg realitetit për të pasur një PD sic e kishim, sa më shumë kalon koha, sa më shumë zhvillohet turizmi, sa shumë rini ka ky vend PD-ja perëndon, pasi nuk ka lidhje me zhvillimin”, ka thënë ai ne ABC News.

Ndër të tjera Çupi ka deklaruar se tashmë PD është në një faza që po merret me probleme personale dhe jo politike.

Sipas tij një pjesë e demokratëve janë të izoluar pasi lideri i tyre është një person që është shpallur I rrezikshëm për paqen në vend dhe sipas tij ngelet për të parë vendimet e SPAK në këtë drejtim.

“Ka pasur shumë raste ku PD mund të reflektonte por sesa mund të reflektojë nga Kukësi mbetet thjesht një shans, pasi udhëheqja e rithemelimit ndodhet përballë sfidave personale dhe jo politike që janë ato me SPAK dhe me diplomacinë botërore.

Është një lidership i izoluar dhe i shpallur i rrezikshëm për paqen në Shqipëri. Dhe pritet që SPAK të bëjë të njëjtën gjë që po bën me të tjerët, ju e shikoni se pse po deformohet Himara, pasi është deformuar nga qeverisja e PD-së”, është shprehur ndër të tjera Çupi.