Kryeministri Rama paralajmëron masa ndëshkimore që pritet të jenë gati në 2024-ën për të gjithë ata që hedhin plehra në rrugë, duke theksuar se sjellja e një pakice individësh si ata që kanë ndotur aksin Kardhiq-Delvinë, nuk mund të dëmtojë Shqipërinë turistike.
Kryeministri ka bërë me dije një ndër ligjet e para që do të hyjë në fuqi në seancën e shtatorit në Kuvend.
Në një postim në Facebook Rama ndan disa foto ku shihen rrugë të cilat janë pirg me plehra në Gjirokastër dhe e cilëson si një sjellje të egër e një pakice individësh të pacipë”.
“Rrugët e reja janë për të shkurtuar distancat, jo për t’u kthyer në vendhedhje plehras
Faleminderit Bashkisë Gjirokastër dhe ARRSH që u angazhuan në pastrimin e aksit Kardhiq-Delvinë që çdo ditë frekuentohet nga mijëra turistë
Dhe në këtë kthesë të madhe historike për turizmin e për ekonominë shqiptare, NE S’DO TË LEJOJMË QË SJELLJA E EGËR E NJË PAKICE INDIVIDËSH TË PACIPË, TË DËMTOJË SHQIPËRINË E RILINDUR TURISTIKE! NJË PAKETË E RE NDËSHKIMESH DRASTIKE LIGJORE PËR HEDHËSIT E PLEHRAVE RRUGËVE, DO TË HYJË NË FUQI MAKSIMUMI FILLIMVITIN E ARDHSHËM.”- tha Rama.
Kujtojmë se për sezonin turistik veror 2023, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit po mbështesin me forca shtesë pastrimi për vijën bregdetare bashkitë e Vlorës dhe Rrogozhinës, përveç bashkive Durrës, Kavajë, Sarandë e Himarë ku ky proces ka nisur që një vit më parë. Thirrjet për të qytete dhe rrugë të pastra të vendit kanë qenë kryefjalë e kryeministrit jo vetëm si thirrje për kryebashkiakët por edhe gjatë fushatës së 14 majit.