“Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore” është fusha që mbulon Kapitulli 22 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Në prag të takimit të Tetorit, ku Shqipëria do të raportojë në Bruksel për fazën në të cilën ndodhet plotësimi i kushteve të kësaj Marrëveshje, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) ka shpallur një thirrje ku fton të gjithë grupet e interesit për t’iu bashkuar Tryezës së Këshillimit dhe Diskutimit për Kapitullin 22.

Si institucioni përgjegjës që vepron edhe si Sekretariati Teknik i Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE), për Kapitullin 22, AMVV ka ftuar përfaqësues të pushtetit vendor, të shoqërisë civile, të biznesit, të shoqatave të punëmarrësve, të botës akademike dhe medias të bëhen pjesë e Tryezave për “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”, që do të shërbejnë si bazë diskutimi dhe shqyrtimi në lidhje me qëndrimet dhe rekomandimet për fushat që mbulohen sipas këtij Kapitulli.

Kapitulli 22, “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore” i përket Klasterit “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” dhe është një nga kapitujt kryesorë që vlerësohet me interes të lartë nga Qeveria e Shqipërisë pasi përcakton kornizën për pjesëmarrjen e ardhshme të Shqipërisë në Politikën e Kohezionit të BE-së dhe përfitimet e mëtejshme zhvillimore nga investimet e instrumenteve strukturore të BE-së.

Acquis sipas këtij Kapitulli përbëhet kryesisht nga politika kuadër dhe rregullore zbatuese, të cilat nuk kërkojnë transpozim në legjislacionin kombëtar. Ato përcaktojnë rregullat për hartimin, miratimin dhe zbatimin e programeve të Fondeve Strukturore dhe të Kohezionit që pasqyrojnë organizimin territorial të çdo vendi.
Thirrja është e hapur deri me 28 gusht.