Tre perosna janë arrestuar në flagrancë, teksa prisnin dru në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi” në Bulqizë. Ndërsa dy vëllezër, oragnizatorë të kësaj paligjshmërie janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtegu”, u arrrstuan ne flagrancë shtetasit : Banush Dedja; Ramadan Basha; Zabit Kola. Ndërsa në kërkim u shpallën Bajram dhe Ajet Lici.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të zonave të mbrojtura, në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, Strukturat Hetimore të DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shtegu”.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia mbajti në vëzhgim territorin e zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”, dhe si rezultat konstatoi dhe goditi një rast të krimeve kundër mjedisit, që kryhej në këtë zonë, në mënyrë të organizuar nga disa shtetas.

Për këtë rast u kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore ilegalisht, dhe u vunë në pranga shtetasi B. D., 38 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe shtetasit N. B.,45 vjeç dhe Z. K., 43 vjeç, të dy banues në Dibër. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 46 vjeç dhe A. L., 42 vjeç, vëllezër, të dy banues në Fushë Bulqizë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit B. L. dhe A. L. kishin punësuar 3 shtetasit e arrestuar, për të prerë në kundërshtim me ligjin, lëndë drusore në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 mjete variskë dhe 1 mjet kamion që shërbenin përkatësisht për hapjen e rrugëkalimeve dhe për transportimin e lëndës drusore, një motosharrë dhe një sasi lënde drusore e prerë ilegalisht, që u gjet në pjesë të ndryshme të zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Monitorimi i territoreve të zonave të mbrojtura, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.