Do të jetë prefekti i qarkut të Kukësit, Albert Halilaj, i përzgjedhuri i Partisë Socialiste si kandidat zyrtar për kryebashkiak të Kukësit, në zgjedhjet që do të zhvillohen në 24 shtator.

Asambleja e PS në Kukës është mbledhur këtë të enjte dhe ka miratuar kandidaturën e Halilajt për zgjedhjet e pjesshme, që do të mbahen pasi Safet Gjici dha dorëheqjen për shkak të video-skandalit seksual, të filmuar në zyrën e tij.

Drejtuesi politik i qarkut të Kukësit për PS, Pandeli Majko e ka njoftuar përzgjedhjen e kandidatit nëpërmjet një statusi në Facebook.

“Sot, asambleja e Partisë Socialiste miratoi kandidaturën e Albert Halilaj! Shtabi elektoral bëri mbledhjen e parë! Vështirësia është sfidë dhe jo pengesë për familjen tonë! Do ja dalim!”, shkruan Majo në Facebook.

Ndërkohë në kampin e të djathtëve është ende e paqartë se cili do të kandidojë.

Dega e Partisë Demokratike zyrtare në Kukës, e drejtuar nga Lulzim Basha ishte e para që bëri thirrje për bashkim rreth një kandidati për kryetar bashkie, duke propozuar emrin e kreut të saj, Arif Rexhmati.

Ndërkohë, ditën e djeshme Rithemelimi i Sali Berishës ka publikuar emrat e 6 kandidatëve që do të garojnë mes veti në një process Primaresh për Kukësin.

Emri i Arif Rexhmati çuditërisht shfaqet edhe këtu, ndërsa kandidatët e tjerë janë Ardian Elezi, Ylber Zeneli, Uran Cengu, Gëzim Shehu dhe Emri Vata.

Një emër që diskutohej si kandidat i mundshëm ka qenë edhe Admir Sinamati, i cili kandidoi përballë Safet Gjicit në zgjedhjet e 14 majit duke i humbur ato, por ai ka vendosur që të tërhiqet nga gara.