Qeveria shqiptare po përgatit rritje pagash për mjekët, infermierët, ushtarakët dhe policët e burgjeve për periudhën 2024–2026.
Konkretisht, gjatë vitit 2024 parashikohet të përfitojnë nga politika e rritjes së pagave 18 858 punonjës të sistemit shëndetësor.
Përgjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26% në 34% të pagës bruto.
Po ashtu, për vitin 2024, 6 756 punonjës të Forcave të Armatosura do të përfitojnë rritje të pagës sipas gradës me 4–22%.
Rreth 12,120 punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7% për vitin 2023 dhe 21–35% në vitin 2024.
Rreth 3.566 punonjës të Policisë së Burgjeve, do të përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7% për vitin 2023 dhe 22–36% në vitin 2024.
Rritja e pagave shihet si një politikë konstante buxhetore e qeverisë dhe po planifikohet edhe në buxhetet afatmesme.
Në fillim të këtij viti, qeveria deklaroi se ka në plan rritjen e pagave në sistemin shëndetësor për dy vitet e ardhshme. Për këtë kategori ka një mbështetje financiare prej pikënisjes, me 63% paga të rritura për personelin mjekësor. Kjo erdhi pas rritjes së pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë lekë të rinj në muaj dhe zotimi për rritjen e pagës me 7% për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.
Kësisoj, paga e mjekëve të përgjithshëm nga 59 mijë lekë do të shkojë mbi 111 mijë lekë. Paga e infermierëve shkoi mbi 72 mijë lekë, pa llogaritur shtesën e cituar.
Specialistët në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë, por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në mbi 131 mijë lekë dhe infermieret deri 87 mijë lekë.
Ambicia e qeverisë është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë 900 euro.
Vetëm pak kohë më parë Kuvendi ka miratuar një ligj për pagat e funksionarëve të lartë dhe institucionet e pavarura kushtetuese, me rritje të pagave nga 64 deri ne 82 për qind të pagës aktuale.
Në vitin 2023, fondi i pagave u rrit me rreth 8 miliardë lekë, duke faktorizuar rritjen për këtë vit, por edhe rritjet për vitin 2024, për sektorin e shëndetësisë, arsimit, për ushtarakët dhe për zjarrfikësit.
FMN thekson se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa për të ardhurat dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.