Investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit kanë ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore në Fier, ndërsa skemat mbështetëse nga qeveria kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga fushat “e qëndisura” në Libofshë të Fierit, ku çdo vit e më shumë shtohen sipërfaqet e mbjella me vreshta, drithëra e kultura të tjera bujqësore.

Falë punës kolosale të bërë në gjithë këto vite për rehabilitimin e sistemit kullues e vaditës, në gjithë zonën e Myzeqesë ka më shumë kanale të riaktivizuara dhe më shumë toka të ujitura, gjë që ka sjellë rritjen e prodhimeve bujqësore.

Përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore ka nxitur shtimin e sipërfaqeve të mbjella në gjithë territorin e vendit, kjo falë edhe aplikimit të skemave mbështetëse për fermerët.