Fluksin e turistëve italianë në Shqipëri, kryeministri Rama e argumenton me heqjen e stigmës së një vendi të mbushur me kriminelë dhe emigrantë të varfër. Në një intervistë për televizionin italianë “LA7”, kreu i qeverisë thotë se është bërë një punë e madhe për të arritur këtë nivel të të bërit turizëm.

“Nuk është një sekret, por një punë e bërë me pasion dhe durim të madh. Arritëm të çliroheshim nga ajo stigmë që kishim mbi ne që nga vitet nëntëdhjetë. U pamë si një vend plot me kriminelë dhe emigrantë të varfër. Për italianët, Shqipëria është shtëpia e tyre, ndihemi italianë dhe jemi shumë të lidhur me Italinë”.

Kryeministri Rama flet dhe për lidhjen e veçantë të Shqipërisë me Italinë. Teksa kthehet pas në kohë, tregon se si ka qene Italia në sytë e shqiptarëve për vite me radhë.

“Gjyshja ime kishte gjak italian dhe më fliste në gjuhën tuaj që kur linda. Dhe Italia ishte e vetmja dritare drejt botës jashtë bunkerit të diktaturës. Televizorët ishin errësuar, por në Vlorë në verë, nëse moti ishte i mirë, mund të shihnim Rain dhe Telenorbën. Dhe hoqëm dorë të shkonim në plazh. Imagjinoni një duzinë fëmijësh të ulur në dysheme përpara televizorit bardh e zi të gjyshërve të mi. Më pas erdhën vitet 90-të dhe zbuluam L’America si në filmin e Gianni Amelio.”

Kreu i qeverisë komentoi edhe foton e shpërndarë në rrjetet sociale ku në mënyrë ironike krahasoheshin italianët që kanë ardhur me pushime këtë verë në Shqipëri, me shqiptarët që kanë emigruar drejt vendit fqinj.

“Rashë në kurth. Mendova se ishte titulli i një gazete italiane. Në vend të kësaj, djemtë e rrjeteve sociale më thanë se ishte një meme. E postova sepse ky është një moment i veçantë për ne. Shifrat janë mbresëlënëse. Rritja e turizmit është 35% dhe po shkon drejt 45%. Vetëm gjysmë milioni janë italianë”.

Gjithsesi kryeministri Rama e mbylli me një këshillë për italinët.

“Deri tani ju bëni polemika për gjithçka, qeshni ndonjëherë.”