Shqipëria, vendi ballkanik është destinacioni ideal për të kaluar pushimet verore, por jo vetëm, shumë pranë Italisë dhe plot surpriza, është gjithashtu destinacioni ideal për një udhëtim gastronomik.

Nga veriu në jug ka shumë restorante, agroturizme dhe taverna, ku mund të shijoni pjata tipike, të shijshme, një ndërthurje mes tradicionales dhe modernes. Agjensia prestigjoze “Gambero Rosso” liston 10 restorantet më të mira që duhet të vizitoni nëse shkoni në Tokën e Shqiponjave, duke e krahasuar me kuzhinën e jugut të italisë, Salenton.

1.Për të disatën herë, “Padam” në Tiranë renditet si një nga restorantet më të mira në vend, edhe në këtë listë ai kryeson.

Shefi i kuzhinës Fundim Gjepali, që është edhe shefi i “Antico Arco” në Romë, ka krijuar një menu të shijshme dhe të rafinuar me pjata që duken si vepra të vogla arti. Ndër të gjitha, provoni vezën me tartuf, salcën e kosit dhe brokoli, dhe akulloren e bërë në shtëpi me biskotë të shtypur.

2. Më pas renditet restorant “Mullixhiu” në Tiranë. Shefi i kuzhinës Bledar Kola, me eksperiencë në Noma në Kopenhagë si dhe në Itali, përgatit gatime tradicionale të gastronomisë shqiptare të ndërthurura me modernen. Agjencia sugjeron, petkat, makarona tipike shqiptare e bërë në shtëpi, dhe qumështor, një ëmbëlsirë tradicionale me bazë qumështi.

3. Në vendin e tretë është “Gzona”, restorant në zemër të Tiranës. Shefi i ri i kuzhinës Bleri Dervishi një nga emrat kryesorë të brezit të ri, me një kurrikul të pasur me eksperienca italiane dhe ndërkombëtare përgatit gatime me përbërës dhe shije vendase. Nga tartari i viçit dhe patëllxhanit, te sallatat e ditës dhe ëmbëlsirat, gjithçka përgatitet me mjeshtëri.

4.Më pas renditet Ferma Fustanella, në fshatin Petrelë, pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Ky restorant nga ferma në tryezë është një perlë e vogël e rrethuar nga natyra. Aty mund të shijosh pjata tipike të gastronomisë vendase dhe të komuniteteve shqiptare që jetojnë jashtë kufijve kombëtarë.

5.Më pas në renditjen e “Gambero Rosso” renditet Mrizi i Zanave në Fishtë të Lezhës. Agjencia prestigjoze e cilëson si një tempull të gastronomisë shqiptare, i lindur nga një ide e vëllezërve Prenga dhe është një ndalesë thelbësore gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Në tavolinat e Mrizit të Zanave mund të hani djathë, byrekë të shijshëm, mish të pjekur, makarona tipike, dhe ëmbëlsira të shijshme. Duke i shijuar me verërat e tyre, të cilat këtë vit fituan tre medalje në konkursin Decanter.

6.Jashtë listës së restoranteve më të mira nuk kishte si mbetej qyteti i “Një mijë e një Dritareve”, me restorantin Tradita e Beratiti. Qyteti i trashëgimisë së UNESCO-s, Berati, një nga destinacionet më të vizituara të Shqipërisë, është i njohur për shtëpitë e tij tradicionale, shumë prej të cilave janë shndërruar në bujtina dhe restorante. Tek Tradita e Beratit ju mund të hani byrekë të shijshëm të mbushur me spinaq, mish ose djathë, sallata kopshti, ullinj, speca duke admiruar pamjen.

7.Alpeta Agroturizëm & Veraria, Roshnik

Pak km larg Beratit, Agroturizëm Alpeta në Roshnik, është një agroturizëm dhe bodrum ku shërbehen perime nga kopshti, byrekë të shijshëm të mbushur me spinaq, rikota të kripura, presh, mish dhie që jeton dhe rritet në shpatet e malit Tomorr. Tava, makarona të bëra me dorë dhe sipër me pulë fshati. Verërat dhe likeret janë ndër më të mirat në Shqipëri.

8. Vila Përmet. Kjo vilë simpatike e fundit të shekullit të 19-të, e rinovuar deri në detaje, është vendi i përsosur për të shijuar më të mirat e gastronomisë së Përmetit. Restoranti “Vila Përmeti”, në katin e parë u ofron miqve kuzhinë autentike, sezonale që respekton traditat, me perimet e kopshtit, mishi nga kafshët e rritura në zonë, sallami i bërë vetë dhe gliko.

9.Në renditjen e ‘Gambero Rosso’, përfshihet dhe tavern “Vasili” në Korçë. “Është mbretëria e mishngrënësve: mishi i gatuar në konjak dhe gulash është i shijshëm, por menuja përfshin edhe mish të pjekur në sgarë, salsiçe dhe qofte tradicionale. Mezet me speca të kuq dhe rikota të kripura dhe ëmbëlsirat e bëra vetë janë gjithashtu të shkëlqyera.”-sugjeron në shkrim.

10.Nuk kishte si të mungonte Vlora në listën e 10 restoranteve më të mira të Shqipërisë. Në menunë e restorant “Bujarit” bie në sy makarona me midhje, kallamar dhe domate qershi, oktapod i pjekur në sgarë dhe çdo gjë që të ofron deti me peshkimin e ditës. Mund të shijohen pothuajse natyrale, gjithçka gatuhet thjesht në pjata të nxehta dhe shërbehet me vaj ulliri, një limon i shtrydhur dhe kripë, një shije mesdhetare vështirë se harrohet.