Jo vetëm për turizëm, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në vendin ku familjet mesatare italiane duan të realizojnë ëndrrën e të pasurit të një shtëpie, mundësisht me pamje nga deti dhe me kosto jo të lartë.

Mediat italiane thonë se italianët po shikojnë gjithnjë e më shumë nga ana tjetër e Adriatikut, ndërsa nuk mungojnë shkrimet që hapen me titujt: “Shtëpi me 35 mijë euro: Italianët investojnë në Shqipëri”.

Në një shkrim të Corriere Romanja, theksohet se Shqipëria është  “një orë e gjysmë fluturim larg, çmimet janë të favorshme, italishtja është gjuha e dytë dhe taksat nuk janë të larta”.

“Interesi i italianëve ka nisur që prej vitit 2015, theksohet në shkrim, ”por ishte pandemia ajo që solli bumin e vërtetë. Italianët, dhe në veçanti banorët e Romagna-s, e kuptuan menjëherë potencialin e këtyre investimeve, duke qenë se Shqipëria është Kroacia e re: një xhevahir i vërtetë i vendosur në Ballkan”, thekson media italiane.

Interesi i blerësve të mundshëm nuk ndizet vetëm nga afërsia me detin, por edhe nga distanca minimale me atraksionet e tjera. “Në Lezhë, për shembull, plazhi është 7 kilometra nga lartësitë dhe në rreth njëzet minuta mund të arrini kodrat. Në Shqipëri ka 300 ditë me diell nga 365. Nuk mungon asgjë, nga taksitë deri tek  ëi-fi”

Në shkrim theksohet se ka ende nga ata që blejnë edhe tre apo katër shtëpi në të njëjtën kohë, duke i konsideruar ato një investim në një vend me potencial të madh që po rritet me shpejtësi. Aktualisht peshën më të madhe e zënë pensionistët italianë që vijnë të tërhequr nga çmimet e ulëta. Megjithatë nuk mungojnë as familjet, të cilat nëse nuk arrijnë të vijnë për të jetuar në Shqipëri, apartamentin e japin me qira miqve ose të afërmve.