Ka ndërruar jetë 16-vjeçari, i cili u përplas me jet ski në plazhin e Llamanit këtë të martë. I mituri u soll me helikopter te Trauma në Tiranë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe për pasojë ka ndërruar jetë gjatë mesnatës.

I plagosur nga manovrat e rrezikshme me mjetin lundrues mbeti dhe një tjetër shok i viktimës, 17-vjeçari me inicialet D.K., por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet ka rezultuar se 4 shokë nga Tirana janë futur në det me 2 mjete lundruese jet ski. Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra–tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh., dhe pasagjeri, shtetasi D. K., ku për pasojë ndërroi jetë 16-vjeçari.

Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., që ndodheshin në Jet Ski tjetër, si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme, duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën.