Ndryshimi i klimës ndihet në Itali
Andrea Giambruno është një prezantues në rrjetin televiziv të themeluar nga i ndjeri Silvio Berlusconi.
Në korrik, ndërsa temperaturat në disa pjesë të Sicilisë dhe Sardenjës arritën në më shumë se 45°C, ai e hapi programin e përditshëm me këto fjalë:
“Lajmi, nëse mund ta quajmë të tillë, është se në korrik do të jetë nxehtë dhe në dhjetor, ndoshta do të bjerë borë. Por, sipas ambientalistëve, fajin e kemi ne publiku”. Pikëpamje të tilla nuk janë aspak të pazakonta nëpër mediat italiane.
Por në këtë rast, ajo që ra në sy ishte se gazetari, i cili shprehu këtë propagandë, është partneri i kryeministres Giorgia Meloni dhe babai i fëmijës së tyre, shkruan The Economist.
Këtë vit, Italia ka vuajtur më shumë se çdo shtet tjetër europian, përveç Greqisë, nga moti i skajshëm: jo vetëm zjarret e furishme në jug, por edhe stuhitë shkatërruese me breshër dhe tornado në veri të vendit, kanë shkaktuar dëme që vetëm në rajonin e Lombardisë, kushtojnë rreth 100 milionë euro (110 milionë dollarë).
Skepticizmi ndaj ndryshimeve klimatike (mjaft i përhapur mes votuesve të zonjës Meloni), mund të sjellë telashe elektorale për kryeministren: një sondazh i vitit të kaluar, zbuloi se 82% e italianëve mendojnë se ndryshimi i klimës është shkaktuar nga njeriu, që do të thotë se në Itali, kjo pikëpamje pranohet më gjerësisht se në çdo vend tjetër europian të anketuar (në Norvegji ishte 61%).
Nuk dihet me siguri nëse zonja Meloni ka të njëjtin qëndrim si partneri i saj. Në një video javën e kaluar, ajo pranoi se urgjencat e lidhura me klimën, do të ishin gjithnjë e më të zakonshme, por e shmangu arsyen se pse.
Ajo pranoi gjithashtu se Italia duhej të rregullonte politikat e saj mjedisore dhe energjetike, por theksoi se përparësi do të ishte “ruajtja e territorit” dhe njoftoi një “plan të madh hidro-gjeologjik” që synonte të parandalonte përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe erozionin bregdetar.