Konfuze mbetet situata pas rrëzimit të djeshëm në Rusi të një avioni privat Embraer me të cilën fluturonte Yevgeny Prigozhin, kreu i kompanisë ushtarake Wagner dhe nëntë persona të tjerë.

Shërbimi i Aviacionit Civil i Rusisë Rosaviatsia konfirmoi zyrtarisht pak orë më parë se 62-vjeçari Prigozhin dhe udhëheqësi më i lartë ushtarak i kompanisë Dmitry Utkin, ishin në bordin e avionit privat, i cili po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg dhe u rrëzua në rajonin Tver.

Megjithatë, sipas mediave britanike, ka zëra të përhapur se shefi 62-vjeçar Wagner, i cili udhëhoqi rebelimin e tij mercenar kundër udhëheqjes ushtarake ruse qershorin e kaluar, mund të ketë inskenuar vdekjen e tij dhe ta ketë fluturuar atë me një avion tjetër.

Sipas Daily Mail, thashethemet bazohen në faktin se një avion i dytë i lidhur me Wagner u pa në radar duke bërë zigzage mbi rajonin Tver ku u rrëzua Embraer. “Kjo nuk do të ishte hera e parë që ai arrin të zhduket me sukses”, shpjegoi gazeta britanike, duke shtuar se Prigozhin ishte shpallur zyrtarisht i vdekur në Afrikë në vitin 2019, përpara se të rishfaqej përfundimisht përpara pushtimit rus të Ukrainës.

Për Keir Giles, analist në institutin “Chatham House” me qendër në Londër, prania e emrit të Prigozhin në listën e pasagjerëve të Embraer-it fatal nuk do të thotë shumë. “U njoftua se një burrë i quajtur Yevgeny Prigozhin ishte në bordin e avionit. Por gjithashtu është bërë e ditur se disa persona kanë ndryshuar emrat e tyre në “Yevgeny Prigozhin”, si pjesë e përpjekjes së liderit Wagner për të lëvizur në fshehtësi. Nuk do të habitesha shumë nëse ai do të shfaqet papritmas në një video të re nga Afrika. ”

Kujtohet se lista e pasagjerëve të publikuar nga Rosaviatsia, duke konfirmuar vdekjen e Prigozhin dhe Utkin, përfshinte edhe emrin e Valery Chekalov, kreut të sigurisë për drejtuesin e kompanisë mercenare. Dhjetë persona ishin në bordin e avionit, duke përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve të para, të gjithë në bordin e avionit janë të vdekur”, tha më herët përmes Telegram Ministria ruse e Emergjencave.

Kërcënimet nga “luftëtarët e Wagnerit: ‘Bëhuni gati, po vijmë’”

Kanalet Telegram të lidhura me Prigozhin njoftuan vdekjen e tij menjëherë pas rrëzimit të aeroplanit, duke treguar si fajtorë “tradhtarët” në Rusi.

Edhe pse shkaku i rrëzimit është ende i paqartë, teoria se ai u shkaktua nga një bombë e fshehur brenda një kuti verërash të shtrenjta në bordin e avionit është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale ruse.

Sipas The Sun, “drejtuesit e Wagner” mbrëmë fajësuan drejtpërdrejt Kremlinin për vrasjen e liderit të tyre. “Nëse informacioni se Prigozhin ka vdekur konfirmohet, ne do të organizojmë një marshim të ri për drejtësi në Moskë,” thanë ata, duke iu referuar përparimit të mercenarëve rebelë në kryeqytetin rus qershorin e kaluar.

Në një video të publikuar nga mediat britanike, persona të armatosur që pretendojnë se janë luftëtarë të Wagner paralajmërojnë se asgjë nuk ka mbaruar. “Shumë njerëz po flasin tani për atë që Wagner do të bëjë. Një gjë mund t’ju themi. Ky eshte vetem fillimi. Bëhuni gati, ne po vijmë.”