Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë Fredi Beleri ka zbardhur takimin me deputetin grek Angelos Syrigos pas hekurave, të cilit i ka parashtruar dhe tre kërkesa për t’ia transmetuar kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis.
Beleri deklaron në një postim në “Facebook” se kërkon të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.
Sipas tij, u përgatit “një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja, por se deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë dhe të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.
Ai thekson më tej se “qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë”.
POSTIMI I PLOTË:
Falënderoj nga zemra profesorin, deputetin e Demokracisë së Re dhe mikun tim të ngushtë, z. Angelos Syrigos, i cili më vizitoi në burgun e Tiranës, i dërguar i Kryeministrit Grek, z. Kyriakos Mitsotakis.
Nga z. Angelos Syrigos kërkova që t’i transmetojë Kryeministrit të Greqisë vendimin tim, i cili është kërkesë e të gjithë popullit të Himarës, për të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.
Përgatitën një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja. Deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë. Të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin.
Qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë.
Z. Syrigos i thashë se pres tre gjëra:
– të betohem menjëherë si kryetar i bashkisë, populli i së cilës më zgjodhi.
– të lirohem nga burgu, në mënyrë që të mundem të ushtroj detyrën time si kryetar bashkie.
– të rrëzohet akuza e padrejtë, qesharake, tendencioze dhe e pabazë që është ngritur ndaj meje.
Në personin e Kryeministrit Grek falënderojmë Greqinë që lufton krah nesh për të siguruar të drejtat tona njerëzore.