Ish-kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Roland Bejko, ka reaguar për zgjedhjet vendore të Kukësit, që do të mbahen më 24 shtator. Në një postim në rrjetin sociale Facebook, Bejko shkruan Arif Rexhmati, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, do e çojë opozitën drejt fitores së sigurt.
Postimi i plotë:
Demokratët dhe qytetarët e Kukësit, prej disa ditësh po u bënin thirrje gjithë partive opozitare që nëqoftë se donin vërtet t’a fitonin bashkinë e Kukësit në zgjedhjet e pjesshme lokale, ata duhet të bashkoheshin rreth një kandidati të vetëm, duke ofruar si zgjidhje z. Arif Rexhmati, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, si figurën më potenciale që mund ta çonte opozitën në një fitore të sigurt. Por, ata u refuzuan sot në këtë ide e në këtë dëshirë, nga Sali Kulla.
Non Grata, e ka ndarë mendjen. Ai, si zakonosht, në një monolog me gazetarët, përsëriti refrenin e vjetër se më mirë bashkëpunon me Ramën se me këdo që mbështet, sipas tij, “Lul-Bravën”. Dhe në këtë që thotë, ne e besojmë. Sali Berisha është i sinqertë. Bashkëpunimi i tij me Ramën nuk shtrihet vetëm tek lejet e ndërtimit që ky i fundit u jep familjarëve dhe ortakëve të familjes së tij, apo dhe oligarkëve që i kanë si bankomatë të përbashkët, por edhe në garantimin e një pushteti të përjetshëm duke e mbajtur opozitën në një gjendje armiqësore e të ndarë midis tyre.
Në deklaratën e sotme Sali Berisha, bëri të paditurin se z. Rexhmataj, një demokrat me vlera të larta qytetare, është drejtuesi lokal i Partisë Demokratike. Me këtë rast, ai u shoi çdo shpresë bashkëpunimi në nivel vendor faktorëve opozitarë të Kukësit, duke u hequr kështu mëndësinë atyre të ishin fitues në garën për kryetarin e bashkisë. Kështu, midis Arif Rexhmatajt e demokratëve të Kuksit, Sali Kulla zgjodhi bashkëpunimin me Edi Ramën duke i garantuar kandidatit të tij sërish, fitoren në tavolinë. Sot është rasti që demokratët ta kuptojnë se hallet e Sali Kollës janë krejt të ndryshme nga hallet e tyre. Shqetësimet e Sali Nongratës, janë krejt të kundërta nga shqetësimet e atyre që vuajnë në kurriz padrejtësitë dhe abuzimet nga pushteti i Edi Ramës, ortaku i Sali Kullës.
E, nëse demokratët varfërohen përditë e më shumë, përditë e më shumë pasurohet Sali Kulla e familja e tij. Ndaj e vetmja zgjidhje në këtë situatë të vështirë për demokratët dhe Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare, është ndarja përfundimtare nga Sali Kulla, dhe bashkimi një orë e më parë nën siglën e Partisë Demokratike, si e vetmja mundësi reale për t’u rikthyer në alternativë pushteti duke u çliruar nga barra e një udhëheqësi të refuzuar nga Perëndimi që e ka cilësuar si minues të demokracësë, pengues të drejtësisë së pavarur dhe të korruptuar familjarisht.
Demokratët nuk meritojnë të jenë pengje të Sali Kullës, ata janë aq inteligjentë sa ta gjejnë vet rrugën e tyre të së ardhmes.