Të dhënat tregojnë se, aktualisht, shtresa e akullit që rrethon kontinentin më jugor të planetit është në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Kjo është e fundit në një varg rekordesh për akullin e detit të kontinentit, pasi shkencëtarët kanë frikë se ngrohja globale mund ta kishte zhvendosur rajonin në një epokë të re të zhdukjes së akullit me pasoja të mëdha për klimën dhe nivelet e detit në botë, raporton The Guardian.
Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të identifikojnë të gjithë faktorët që çuan në uljen e nivelit të akullit të detit këtë vit, por studimi i tendencave në Antarktidë ka qenë historikisht sfidues.
Dr Will Hobbs, një shkencëtar i akullit të detit në Universitetin e Tasmanisë, tha se që nga prilli ritmi i rritjes së akullit të detit të Antarktidës ka qenë “shumë, shumë i ngadaltë”.
“Ky nuk është vetëm një ndryshim i madh nga mesatarja, por edhe nga rekordi i mëparshëm. Në maj ishte shumë e qartë se ne kishim diçka spektakolare”, tha ai.
Akulli i detit të Antarktidës kalon një cikël vjetor që arrin shtrirjen më të ulët çdo shkurt dhe nivelet më të larta në shtator.
Në një vit kur disa rekorde globale të nxehtësisë dhe temperaturës së oqeanit janë thyer, disa shkencëtarë këmbëngulin se ulja e nivelit të akullit në det është fenomeni që duhet t’i kushtohet urgjentisht vëmendje.