Tre oficerë policie kanë rënë në prangat dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore pasi akuzohen për korrupsion dhe për shpërdorim detyre.
Sipas një njoftimi mësohet se nga agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) është bërë arrestimi i në flagrancë i Oficerëve të policisë Inspektor Eldo Shyti dhe Inspektor Granit Nuraj me detyrë Trup Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë.
Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas hollandezë, të cilët në datën 15.09.2023, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me preteksin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe se i kanë favorizuar duke mos u pezulluar Lejen e Drejtimit.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka bërë ndalimin e Oficerit të policisë Klisman Çela me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shperdorim detyre”.
Ndalimi u krye pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative.