Gjithçka është gati për ndeshjen mes Juventusit dhe Atalantës, përkatësisht e treta kundrejt të katërtit në renditjen aktuale të Serie A. Starti në stadiumin “Gewiss” është planifikuar për nesër në orën 18:00. Në konferencën për shtyp, trajneri bardhezi Massimiliano Allegri ka prezantuar sfidën, duke paralajmëruar edhe mungesën e rëndë të Vlahovic.
“Kemi luajtur një përballje direkte me Lazion, nesër kemi një tjetër. Bergamaskët kanë një ekip agresiv. Kampionati nuk mbaron nesër, por duam të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer nga të gjitha pikëpamjet.
Vlahovic nuk do të luajë nesër, ka problemin e zakonshëm në shpinë. Dje ndaloi, sot pati shumë dhimbje, prandaj më mirë ta ruajmë dhe ta lëmë të shërohet plotësisht. Kean do të kthehet dhe do të jetë titullar, por jo Milik”.
Allegri mes fishkëllimave të tifozëve: “Nuk duhet të jetë një shqetësim. Këto janë situata që duhen parë si mundësi për të na stimuluar, për të bërë më mirë. Këtë sezon duhet ta dimë të gjithë këtë. Nëse vitin e ardhshëm Juve do të ketë mundësinë të luajë në Champions League, do të jetë rezultat i mirë për të gjithë.
Pioli na sheh favoritë, ngaqë nuk luajmë në Kupat e Europës? Të flasësh për këto gjëra nuk ka asnjë dobi. Nuk është një ekuacion matematikor, që ata që nuk luajnë në kupat euroopiane janë favoritë për kampionatin. Shifrat e tregojnë këtë vitet e fundit”.
Trajneri bardhezi përfundon: “Ekipi po punon mirë, ka entuziazëm, dëshirë për të dhënë maksimumin dhe përmirësuar. Ne punojmë me faktin se nuk po luajmë në Champions League, duke programuar gjëra shtesë për lojtarët dhe ekipin. Kur keni ekip me lojtarë të rinj mendon për rritjen e tyre”.