Komisioni Qendror i Zgjedhjeve testoi pajisjet që do të përdorë në Kukës, duke garantuar që të dielën nuk do të ketë probleme me identifikimin elektronik të zgjedhësve në asnjë nga 74 qendrat e votimit. KQZ kishte planifikuar që këtë të martë të zhvillonte edhe trajnimin e komisionerëve, por kjo qe e pamundur, sepse Lulzim Basha nuk ishte gati. Ai nuk ka nxjerrë kandidat për Kukësin, por Kolegji Zgjedhor i njohu të drejtën të ketë komisionerë, më shumë se sa ka Koalicioni Bashkë Fitojmë që ka kandidat.
I ftuar në “News Line”, analisti Skënder Minxhozi ka komentuar këtë situatë, duke u shprehur se nëse nuk fiton kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha nuk do i njohë zgjedhjet.
Sipas tij, është një sherr për emra komisionerësh, për lista besnikësh, lista tradhtarësh brenda disa PD-ve që garojnë tashmë në terren.
“Berisha tashmë ka hyrë në atë modalitetin që ‘i njoh zgjedhjet vetëm kur i fitoj zgjedhjet’. Cilido të jetë rezultati nëse nuk fiton kandidati Berishës dihet përgjigja. ‘Mafia bleu votat, etj, etj’.
Ndërkohë që për konfliktin e Berishës me Bashën, realisht në një bashki si Kukësi ku ndodhi një ngjarje kaq e rëndë me kryebashkiakun socialist, e cila çoi në një rivotim të gjithë bashkisë, është rasti klasik, ku sherri i brendshëm brenda opozitës sfumon atë që do duhet të ishte një luftë beteje elektorale lokale, një fushatë e ndezur rreth trashëgimisë socialiste në Kukës, bilancit, ngjarjes së rëndë që i ndodhi kryebashkiakut se ajo është faktikisht shkaku i asaj që po ndodh në Kukës. Por ndërkohë kemi një sherr komisionerësh. Pra, ulet niveli, ulet steka komplet dhe konflikti kalon brenda shtëpisë demokratike. Edhe nuk është një debat ose një konflikt elektoral ose një fushatë për teza politike, pra një ofertë për banorët e asaj zone, por është një sherr për emra komisionerësh, për lista besnikësh, lista tradhtarësh brenda disa PD-ve që garojnë tashmë në terren dhe që nuk dihet mirë se sa janë. Pra, është një banalizim i procesit, një projeksion i vogël i asaj që do të mund të ndodhte nëse Shqipëria do të kalonte sot në një palë zgjedhje të parakohshme dhe parlamentare. Pra, me disa pjesëza opozite të cilat luftojnë për flamuj, për stema dhe për lista komisionerësh. Vërtetë për të ardhur keq, në vend që t’i qajmë hallin manxhorancës, të cilës i doli gjatë rrugës një kryebashkiak që njollosi dhe çoi bashkinë në televotim. Lajmi më i madh që vjen nga Kukësi është se me cilin është ky komisioner dhe me cilin është ai komisioner”, tha Minxhozi.