Presidenti Joe Biden fajësoi një grup të vogël republikanësh ekstremë për bllokimin buxhetor, teksa i ka kërkuar ligjvënësve të partisë të marrin hapa të menjëhershëm për të parandaluar një mbyllje të qeverisë përpara afatit të 30 shtatorit. Gjatë një konference, lideri i SHBA-së u shpreh se ai dhe republikani kryesor i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy kanë rënë dakord më parë për nivelet e shpenzimeve të qeverisë. Sipas tij çmimi është i lartë nëse nuk përmbushet marrëveshja.

“Të jemi të qartë. Nëse qeveria mbyllet, kjo do të thotë që anëtarët e Kongresit dhe ushtrisë amerikane duhet të vazhdojnë të punojnë dhe të mos paguhen. Mbyllja e qeverisë mund të ndikojë në gjithçka, nga siguria ushqimore, kërkimi i kancerit, programi për fëmijët. Financimi i qeverisë është një nga përgjegjësitë më themelore të Kongresit”, tha Biden.Ligjvënësit amerikanë kanë afat deri në mesnatën e 30 shtatorit për të arritur një marrëveshje mbi projekt-ligjin shpenzimeve, përpara se financimi për shërbimet qeveritare të përfundojë.Nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet e gjithë situata do të jetë kosto e konsiderueshme politike për Bidenin, i cili kandidon për të marrë sërish drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë dëshiron që çdo projekt-ligj buxhetor i miratuar nga ligjvënësit të përfshijë 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Kievin. Ndërsa një plan i tillë mbështetet nga demokratët dhe republikanët në Senat, ai kundërshtohet rrënjësisht nga disa anëtarë të Dhomës. Votimi i buxhetit në Kongres kthehet rregullisht në një përplasje midis dy partive, ku secili kamp përdor mundësinë e një mbylljeje për të marrë lëshime nga tjetri, derisa të gjendet një zgjidhje.