Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pritet të zhvillojë një bisedë private me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e administratës së presidentit Donald Trump për një mandat të ri në krye të qeverisë botërore të futbollit. Lajmi bëhet i ditur nga New York Post, duke cituar burime të afërta me çështjen.

Sipas raportimit, telefonata ishte planifikuar të zhvillohej të hënën, menjëherë pas orës 09:00 me kohën lokale në SHBA. Zyrtarisht, në fokus të diskutimit do të ishte roli i futbollit si një instrument i “fuqisë së butë” për Shtetet e Bashkuara, por burimet pretendojnë se objektivi real i Infantinos është sigurimi i mbështetjes politike për të forcuar pozitat e tij në drejtimin e FIFA-s.

Raporti shton se kreu i FIFA-s ka tentuar më herët të kontaktojë drejtpërdrejt presidentin Donald Trump, por pa sukses. Kjo lëvizje vjen pas dështimit të planit për t’u hapur rrugë investitorëve privatë që të blinin një pjesë të aseteve komerciale të FIFA-s.