Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj ka dhënë detaje në lidhje me procesin e Censit të Popullsisë dhe Banesave që ka nisur këtë të hënë (18 shtator) në vend. Në studion e RTSH 24, Yzeiraj tha se nga ky proces përfiton i gjithë vendi, pasi të dhënat e përfituara janë të rëndësishme për të orientuar dhe informuar politikat dhe vendimmarrjet.
Yzeiraj theksoi se është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë vlerën e Censit dhe që të dhënat e përfituara të jenë reale.
“Për qytetarët është e rëndësishme të kuptojnë pse ky është një proces kaq i rëndësishëm. Statistikat e përfituara nga Censi janë të rëndësishme për të orientuar dhe informuar politikat dhe vendimmarrjet e thuajse çdo agjencie publike në Shqipëri. Është detyrim t’i përgjigjemi Censit sepse vetëm nëpërmjet të dhënave që ne mbledhim nga Censi, agjencitë publike, qoftë në nivel lokal apo qendror, mund të ndërtojnë politikat e duhura për t’i shërbyer komuniteteve të tyre. Na duhet informacioni demografik në mënyrë që më pas të ndërtojmë të gjitha politikat që t’i përgjigjen nevojave të tyre. Që nga censi i fundit ne kemi lëvizje të mëdha demografike dhe ne mund të fillojmë të kuptojmë se ku duhen ndërtuar shkollat e reja, qendrat e reja shëndetësore, rrugët e reja, pra ku janë qytetarët në mënyrë që të çojmë shërbimet atje”, u shpreh ai.
Censi është mjaft i rëndësishëm edhe në lidhje me të ardhmen europiane të vendit tonë, ndërsa zëvendësministri tha se rezultatet do t’i japin përgjigje edhe një sërë pyetjeve që kërkohen në Bruksel. “Implikimet me procesin e integrimit janë të shumta. Në Bruksel janë një sërë pyetjesh të dhënat e cilave ne i marrim nga ky ushtrim dhe politikbërjen e ardhme, strategjinë e ardhme që BE na kërkon, janë pyetje që do fillojnë të informohen nga këto të dhëna”, tha Yzeiraj.
I pyetur nëse ky proces do të mund të ishte realizuar edhe online përmes portalit e-Albania, Zëvendësministri u shpreh se nuk është mundur për shkak se për disa pyetje, siç është adresa, nevojitet edhe verifikimi përmes anketuesit në terren. “Mund të jetë një nga nismat që ne do mendojmë për censet e ardhshme. Por pjesa fizike e anketuesve duhet në lidhje me disa pyetje që lidhen me banesa. Disa pjesë mund të përftohen në mënyrë dixhitale, por ka disa komponentë kur pjesa fizike është e nevojshme”, u shpreh ai.
Janë 5.240 anketues të cilët do të trokasin në dyert e të gjithë qytetarëve, për të grumbulluar informacionin e nevojshëm, ndërsa puna në terren do të zgjasë për 6 javë, deri më 30 tetor. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Sipas INSTAT, kostoja totale për realizimin e Censit 2023 është 16,9 milionë euro.