Minstrja e Financave dhe Ekonomisë në ikje, Delina Ibrahimaj thotë se qytetarët nuk do të jenë të detyruar për t’iu përgjigjur 3 pyetjeve në censin që do të zhvillohet për regjistrimin e popullsisë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj u shpreh se këto pyetje lidhen me fenë, gjuhën amtare dhe me etninë.
Sipas saj, do të ketë anketues të trajnuar në zonat ku ka minoritete apo pakica etnike.
“Në fakt, janë 3 pyetje të cilat kanë qenë mjaft të debatuara në censin e 2011 dhe janë pyetje që lidhen me fenë, gjuhën amtare dhe me etninë. Janë 3 pyetje jo të detyrueshme, pra çdo qytetar mund të vendosë të mos t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Janë pyetje të cilat që INSTAT domosdoshmërisht duhet t’i vendoste në cens, pasi japin një pamje, plotësojnë pamjen e demografisë së vendit.
Për zonat të cilat kanë minoritete apo pakica etnike, do të ketë madje edhe anketues të cilët do të jenë të trajnuar, dhe të kenë gjuhën e tyre, në mënyrë që të mos ketë asnjë gabim në plotësimin e të dhënave”, theksoi ajo.