Dy vjet dominoi pandemia COVID-19. Pastaj ishte lufta e Rusisë në Ukrainë. Gjatë kësaj kohe, rreziqet nga ndryshimet klimatike, varfëria dhe pabarazia shfaqeshin gjithnjë e më shumë në çdo mbledhjeje të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në hapjen e sesionit të 78-të, nuk ka asnjë krizë të vetme që pritet të mbizotërojë qartazi në Debatin e Përgjithshëm, pasi asnjë nga krizat e sipërpërmendura nuk është zgjidhur. Takimi i nivelit të lartë do të zhvillohet në sfondin e një lufte që po vazhdon, krizave të reja politike në Afrikën perëndimore dhe Amerikën Latine, pandemisë së zgjatur të COVID-19, paqëndrueshmërisë ekonomike, pabarazisë në rritje dhe fatkeqësive të reja natyrore, si tërmete, përmbytje dhe zjarre shkatërruese.

Përballë këtyre trazirave, tema e Debatit të Përgjithshëm të këtij viti do të jetë “Rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit mbi Agjendën 2030 dhe Objektivat e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm drejt paqes, prosperitetit, progresit dhe qëndrueshmërisë për të gjithë”. Më poshtë kemi përmbledhur gjërat që duhet t’i dini për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, të kryesuar nga presidenti i Asamblesë, Dennis Francis, nga Trinidad dhe Tobago. Përderisa efektiviteti i Kombeve të Bashkuara është vënë në pikëpyetje gjatë gjithë kohës sa ky institucion ka ekzistuar, përfitimet nga pjesëmarrja në të janë të pamohueshme. Nga foltorja, vendet transmetojnë agjendat e tyre, ankesat dhe thirrjet për veprim për të gjithë botën.

Kjo përpjekje për multilateralizëm lindi në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore dhe u bazua në shpresën për paqe të qëndrueshme. Kjo javë është një mundësi kyçe për të tërhequr vëmendjen e një audiencë më të madhe për vendet që shpesh mbyten nga ajo që ata e kritikojnë si një rend botëror hegjemonik. Kjo është gjithashtu një mundësi për liderët që të angazhohen në takime të tjera në margjinat e kësaj Asambleje, që do të zhvilloheshin në një territor neutral. Krerët e shteteve dhe qeverive nga të paktën 145 vende priten të udhëtojnë drejt Nju Jorkut. Midis tyre do të jetë presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Të gjithë këta priten të marrin pjesë qysh në ditën e parë. Kjo do të jetë paraqitja e parë personale e Zelenskyt në Kombet e Bashkuara që nga pushtimi i vendit të tij nga Rusia. Në vitin 2022, kur filloi lufta në Ukrainë, Asambleja e Përgjithshme votoi për t’i dhënë atij një mundësinë të veçantë për ta shfaqur një fjalim të incizuar paraprakisht.

Por, radha e folësve do të shënohet me disa mungesa kyçe. Përderisa ata kanë dërguar përfaqësues, udhëheqësit e pjesës tjetër të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Rusia – nuk do të udhëtojnë drejt Nju Jorkut. Prania e Vladimir Putinit sigurisht që do të kishte qenë befasuese, por Emmanuel Macron zakonisht merr pjesë, ndërsa kryeministri britanik, Rishi Sunak, do ta kishte mundësinë e parë për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme. Macron arsyetoi mungesën me vizitën e afërt të mbretit britanik Charles, ndërsa Sunak tha se kishte një agjendë të ngjeshur. Udhëheqës nga vende të tjera të mëdha, përfshirë Indinë – e cila këtë muaj ishte mikpritëse e samitit të G20-tës në Nju Delhi – dhe Meksikën, gjithashtu pritet të dërgojnë ministra në vend të tyre. Drejt Nju Jorkut të SHBA-së, ku do të zhvillohet takimi i kësaj asambleje, ka udhëtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Edhe pse Kosova akoma nuk është anëtare e OKB-së, tradicionalisht liderët e Kosovës kanë udhëtuar gjatë kësaj jave për në Nju Jork për të takuar miq të dëshmuar të Republikës sonë dhe për të krijuar miqësi e aleanca të reja”, tha Osmani një një postim në Facebook. Osmani tha se në takimet që do të zhvillojë do të flasë edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë – një javë pasi rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve. Drejt Nju Jorkut kanë udhëtuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Tani jemi në mes të sezonit të debateve fillestare të fushatës presidenciale në SHBA, por struktura e Debatit të Përgjithshëm në Kombet e Bashkuara nuk u ngjason atyre. Në Debatin e Përgjithshem nuk lejohen vërshëllimat, ndërprerjet apo kundërshtimet e menjëhershme. Por, kjo nuk do të thotë se mungojnë intrigat dhe drama. Çdo fjalim ofron një tekst të pasur dhe interpretimi i tij në foltore shton nëntekst. Fjalimet mund të kenë gjuhë ndjellëse, me gjemba apo edhe mesazhe të fshehura. Fjalimi duhet të përmbyllet për 15 minuta, por shumë liderë nuk e përmbyllin brenda këtij afati. Vitin e kaluar, fjalimet ishin mesatarisht rreth 19 minuta, gjë që kishte tërhequr qortim të ashpër nga presidentja sllovake, Zuzana Caputova. Në më pak se 12 minuta, fjalimi i saj përfundoi me: “Dhe meqenëse respektimi edhe i rregullave më të vogla ka rëndësi, më lejoni ta përfundoj këtu për ta respektuar afatin kohor, për të cilin kemi rënë dakord”. Fjalimi më i gjatë në histori kishte zgjatur 269 minuta dhe u mbajt nga Fidel Castro i Kubës në vitin 1960.

Shteteve anëtare u lejohet gjithashtu të ushtrojnë të drejtën e përgjigjes, në të cilën ata mund të kundërshtojnë kritikat e shprehura gjatë Debatit të Përgjithshëm. Këto janë shpesh shkëmbime të zjarrta në fund të ditës, por zakonisht nuk bëhen nga krerët e shteteve ose krerët e qeverive, por më tepër nga anëtarë të nivelit më të ulët të delegacionit të një vendi. Vitin e kaluar u realizuan 21 ushtrime të së drejtës së përgjigjes. Kanë mbetur ende disa ditë nga debati, por Debati i Përgjithshëm i këtij viti përfundon një ditë më vonë – të martën, më 26 shtator. Ndërsa Debatet e Përgjithshme të kaluara zakonisht zhvilloheshin nga e marta deri të hënën, me pushim vetëm të dielën, këtë vit ka një pushim dy-ditor . Një zëdhënës i OKB-së konfirmoi se nuk do të ketë fjalime të hënën, për ta respektuar festën hebraike Yom Kippur. Kështu është tradita. Në fillim, Brazili bëri një hap përpara kur asnjë vend tjetër nuk donte të dilte vullnetarisht për të folur i pari. Dekada më vonë, vendi i Amerikës së Jugut ruan pozicionin parësor. Si vendi pritës, Shtetet e Bashkuara zakonisht flasin të dytat (megjithëse vitin e kaluar, presidentit Joe Biden iu desh ta vononte fjalimin e tij me një ditë sepse po merrte pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II).

Për fjalimet e tjera që pasojnë, rendi përcaktohet nga faktorë të shumta, përfshirë kë e ka dërguar një vend për të mbajtur fjalimin (kryetarët e shteteve u paraprijnë krerëve të qeverive, të cilët paraprijnë ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë), preferencat e vetë vendeve dhe mbajtjen e baraspeshës gjeografike. Disa lejohen. Përderisa të gjitha shtetet anëtare janë të ftuara të flasin, jo të gjitha domosdoshmërisht e shfrytëzojnë këtë mundësi. Por, Kombet e Bashkuara kanë, gjithashtu, vëzhgues të përhershëm, të cilët kanë qasje në shumicën e takimeve dhe dokumentacionit përkatës”, sipas faqes së internetit të OKB-së. Bashkimi Evropian, Palestina dhe Selia e Shenjtë (Vatikan) janë vëzhgues të përhershëm, të cilët do të marrin pjesë edhe këtë vit. Vitin e kaluar, Palestina pati fjalimin më të gjatë, me presidentin Mahmoud Abbas që foli për më shumë se 47 minuta.