Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, iu kundërpërgjigj kritikave të zyrtarëve të Perëndimit për progresin e dobët të kundërofensivës së vendit të tij.
Në një takim të ministrave të Jashtëm në Spanjë, Kuleba tha se të flasësh për mungesë progresi në fushën e betejës “është si t’u pështysh në fytyrë ushtarëve ukrainas”, ndaj ata që e thonë këtë “duhet ta qepin”.
“Të kritikosh ritmin e ulët të kundërofensivës është njësoj si t’i pështysh në fytyrë ushtrarit ukrainas, i cili e sakrifikon jetën e tij përditë, ndërsa përparon dhe çliron tokën ukrinase kilometër pas kilometri.
Ejani në Ukrainë dhe provojeni të çlironi qoftë edhe një centimetër të vetëm”, shtoi ai.
Deklarata e ashpër e Kulebës vjen pas komenteve të zyrtarëve dhe oficerëve perëndimorë në përgjithësi dhe atyre amerikanë në mënyrë të veçantë, të cilët kanë folur për progres të avashtë për shkak të shpërndarjes së gabuar të trupave ukrainase në frontet e luftës.
Ukraina njoftoi nisjen e kundërofensivës në qershor por nuk ia doli të depërtonte në zonat nën kontrollin rus dhe u detyrua të ndryshonte strategjinë duke kaluar në operacione më të ngadalta dhe më të kujdesshme.
Kievi njoftoi fazën tjetër të kundërsulmit në fund të korrikut, në përpjekje për të depërtuar në rajonin perëndimor të Zaporizhias, por deri tani ka bërë përparim minimal, sipas analistëve ushtarakë.
Mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës argumentojnë se përparimi i ngadaltë lidhet me vonesat midis aleatëve në sigurimin e të gjitha pajisjeve ushtarake të domosdoshme për një ofensivë efektive, duke përfshirë tanke, raketa dhe avionë luftarakë.
Javën e kaluar, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pranoi se hezitimi i Perëndimit në furnizimin e të gjitha sistemeve të nevojshme të armëve në Ukrainë, i nxitur nga frika e përshkallëzimit, ka qenë i kushtueshëm dhe se një qasje tjetër mund të kishte ndryshuar rrjedhën e luftës.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrelius Landsbergis, është shprehur se fakti që Ukrainës nuk i është dhënë deri tani mbështetja që i duhet për t’u mbrojtur do të ketë kosto më të lartë për të gjithë.
Pak ditë më parë, Borrell u kërkoi vendeve anëtare të porosisin më shumë municion për Ukrainën, pasi shifrat treguan se blloku ishte shumë larg objektivit që i ka vendosur vetes: një milion predha artilerie brenda 12 muajve. Shifrat tregojnë se deri tani, Ukrainës i është siguruar afërsisht një e katërta e këtij arsenali.