Është rikthyer gjithmonë në qytetin e saj, nga ku nisi shumë vite më parë, atëherë kur ishte aq e vogël sa vështirë se kishte fuqi të perceptonte mrekullinë që ndodhi prej sekondës së parë që lëshoi tingujt e zërit të saj magjik. Kanë qenë projekte të ndryshme muzikore, televizive, (siç ishte “The Voice of Albania” në Top Channel), festivale (siç ishte dhe ai i një viti më pare ku shënoi suksesin e radhës me “Evita”) që e kanë nxitur të rishfaqet në skenë e në ekran. Por asnjëherë për një koncert të sajin, në të tilla përmasa, të cilin po e përgatit ta sjellë tani. Ajo ende nuk ka shpallur asnjë lajm, por burime nga stafi organizativ na pohojnë se është krejt zyrtare: Koncerti titulluar “Finalmente Elsa” do të sjellë në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve të parin recital të saj.
“Do të jetë pa diskutim një koncert nga fillimi deri në fund live. S’mund të tingëllojë ndryshe, veçse krejt i vërtetë, një koncert nga Elsa Lila, artistja që po vazhdon ta sfidojë fort veten dhe kohën ku jeton e nga bashkëpunëtorët e saj, të tjerë artistë të njohur italianë, me të cilët po realizon prej kohësh projekte të shumta muzikore në Itali”, konfirmojnë për Top Channel të njëjtat burime.
Ekipi muzikor e ka nisur punën përgatitore prej ditësh, andej detit, për të na sjellë këndej në Tiranë një repertor të larmishëm e special muzikor…ku vendin kryesor do ta zërë muzika shqiptare, pa lënë mënjanë kurrsesi edhe atë italiane. Kujtojmë që suksesi i radhës i Elsa Lilës pas “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtje” në Shqipëri, ishte ai i Sanremos me “Valeria” dhe “Il senso della vita”. Kështu është e ndarë jeta e saj artistike, mes kulturës së dy vendeve, që do të jenë dhe dy shtyllat e forta të koncertit të saj.