Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se Ankaraja mund të “ndajë rrugët” me Bashkimin Evropian nëse është e nevojshme.
Ai këtë gjë e deklaroi në një konferencë përballë gazetarëve në pyetjen e bërë për përmbajtjen e një raporti të Parlamentit Evropian për Turqinë.
Raporti, i miratuar në fillim të kësaj jave, tha se procesi i pranimit të Turqisë me bllokun 27-anëtarësh nuk mund të rifillojë në rrethanat aktuale dhe bëri thirrje që BE të eksplorojë “një kornizë paralele dhe realiste” për lidhjet e saj me Ankaranë, raporton Reuters.
Turqia ka qenë një kandidat zyrtar për t’u bashkuar me BE për 24 vite, por bisedimet e pranimit kanë ngecur vitet e fundit për shqetësimet e bllokut për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
“BE po përpiqet të shkëputet nga Turqia. Ne do të bëjmë vlerësimet tona ndaj këtyre zhvillimeve dhe nëse është e nevojshme, mund të ndahemi me BE-në”, u tha Erdogan gazetarëve përpara një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha në fillim të kësaj jave se raporti i Parlamentit Evropian përmban pretendime dhe paragjykime të pabaza dhe mori një qasje “të cekët dhe jovizionare” ndaj lidhjeve të vendit me BE-në.