Bergamaskët” e Atalanta arritën një tjetër rezultat pozitiv, në javën e 6 të Kampionatit italian të futbollit, Serie A, teksa mbrëmjen e së mërkurës mundën skuadrën e Verona, në transfertë, me rezultatin minimal, 0 me 1.
Për lojën e mirë që zhvilluan ndaj Verona-s dhe sfidën e së dielës ndaj Juventus ka folur dhe mbrojtësi i “bergamaskëve” dhe Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti, i cili gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës ndaj “bardhezinjve”, duket të jetë një nga më të motivuarit.
“Jemi të lumtur për rezultatin që arritëm, por disi më pak për paraqitjen e radhës që ofruam. Ishte e rëndësishme të fitonim me Veronën, sepse kjo është një transfertë gjithmonë delikate, shumë fizike dhe e vështirë për t’u luajtur. Por ne treguam se e merituam dhe çuam në shtëpi tri pikë me shumë vlerë.
Më pak sulmues? E vërtetë që zgjedhja e bërë nga ne pas avantazhit ishte një gabim, por Verona nuk pati asnjë rast për të na shënuar gjatë të gjithë ndeshjes, ndërsa ne shpërdoruam si shumë, edhe pse në këtë fillimsezoni, ku gjendja nuk është ende perfektë, ndoshta mund të pranohen këto vështirësi.
Mbrojtja, më perfekte se sulmi ynë? Nëse ne kemi bërë gjëra të mira, merita kryesore u takon mesfushorëve dhe sulmuesve, të cilët na kanë ndihmuar, duke u sakrifikuar jo pak. Dhe padyshim që për ne është një sadisfaksion.
Në këtë periudhë është shumë e vështirë që të përgatisim ndeshjet, sepse kalendari është tepër i ngjeshur. Me të mbaruar një takim duhet të mendosh për tjetrin, madje edhe për Juventu vlen i njëjti argument, duke qenë se pas tyre menjëherë më pas jemi të impenjuar në Europa League.
Juventus është një klub i madh, por ne kemi treguar në vitet e fundit se dimë se si t’i bëjmë keq dhe duam që t’i mundim edhe këtë herë. Për ne është e rëndësishme që të bëjmë një rezultat pozitiv ndaj Juventus, sepse menjëherë më pas kemi duelin me Lazio-n, ndaj nuk do të jetë aspak një muaj i lehtë që na pret, deri te ndeshjet me Kombëtaren”,- u shpreh lideri i mbrojtjes.