Një udhëtim në një qytet të madh dhe mbresëlënës mund të duket idilik, por sipas një studimi të ri, ai paraqet rreziqe shëndetësore që mund të mos i keni menduar kurrë më parë. Të dhënat e reja kërkimore, të publikuara në revistën Neurology, pohojnë se mjaftojnë vetëm pesë ditë në një qytet të madh për të rritur ndjeshëm rrezikun e goditjes në tru, për shkak të niveleve të larta të ndotjes së ajrit që karakterizon qendrat e sotme urbane.

Studiuesit nga Universiteti i Amanit në Jordani mblodhën të dhëna nga më shumë se 18 milionë raste goditjeje, duke parë nëse ekspozimi ndaj ajrit të ndotur për vetëm pesë ditë mund të rrisë rrezikun. Rezultatet e tyre treguan një korrelacion midis niveleve më të larta të ndotësve si dioksidi i azotit, monoksidi i karbonit, dioksidi i squfurit dhe grimca të tjera të ndryshme dhe një rrezik në rritje për goditje në tru. E thënë thjesht, toksinat që mbushin ajrin e qyteteve të mëdha anembanë botës rrisin shanset për të zhvilluar një sëmundje serioze në një kohë të shkurtër, përcjell dritare.net

“Hulumtimet e mëparshme kanë treguar një lidhje midis ekspozimit afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit dhe rritjes së rrezikut për të pësuar një goditje në tru”, tha udhëheqësi i studimit Dr. Ahmed Tubasi. “Kemi zbuluar se edhe një ekspozim afatshkurtër ndaj ndotjes së ajrit është në gjendje të kërcënojë shëndetin.”

Autorët e studimit vlerësuan me kujdes madhësi të ndryshme të grimcave, nga ndotësit e vegjël (PM1) tek ato më të mëdha si PM2.5 dhe PM10. Grimcat më të vogla vijnë kryesisht nga emetimet e motorëve, karburantet industriale dhe zjarret natyrore, ndërsa grimcat më të mëdha janë rezultat i pluhurit nga rrugët ose projektet e ndërtimit.

Hetimi i ekspertëve rezultoi në përfundimet e mëposhtme:

Dioksidi i azotit rrit rrezikun e goditjes me 28%
monoksidi i karbonit me 26%
Dioksidi i squfurit me 15%, me mundësi përshkallëzimi
Nivelet e ozonit me 5%
Grimcat mikroskopike (PM1) me 9%, PM2.5 me 15% dhe PM10 me 14%. Për vdekshmërinë nga goditjet, rreziku u rrit me 9% shtesë nga PM2.5 dhe 2% nga PM10.
Në të njëjtën kohë, u zbulua se ekspozimi ndaj dioksidit të azotit, i prodhuar kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile në temperatura të larta, rriti vdekshmërinë e lidhur me goditjet me 33%, ndërsa i njëjti rrezik shkoi në 60% në rastin e ekspozimit ndaj dioksidit të karbonit e squfurit, një nënprodukt i djegies së lëndëve djegëse të pasura me squfur.

Studimi bëri një vëzhgim tjetër shqetësues: ndërsa nivelet e ndotjes rriteshin, rriteshin edhe gjasat për një goditje fatale.

“Ekziston një korrelacion i fortë ndërmjet ndotjes së ajrit dhe mundësisë për të shkaktuar një goditje në tru, por edhe rrezikut të mëvonshëm të vdekshmërisë prej tij.”, theksoi Dr. Toubasi. “Kjo nxjerr në pah rëndësinë e përpjekjeve globale për të krijuar politika që reduktojnë ndotjen e ajrit, pasi kjo, ndër të tjera, mund të zvogëlojë incidencën dhe pasojat e një goditjeje.”

Studiuesit vunë në dukje, më në fund, se pjesa më e madhe e të dhënave që ata studiuan vinin kryesisht nga vendet e pasura, që do të thotë se rreziku mund të jetë edhe më i madh në vendet më të varfra.