Frrok Çupi

Tani ja ku jemi: Greqia po bën gati të gjitha ‘mrrokullat’ për nisjen e një konflikti me Shqipërinë, e ndoshta një Ligj të Dytë të Luftës. Për herë të parë, Ligjin e Luftës kundër Shqipërisë e shpalli në Nëntor të vitit 1940. Ndërsa për herë të dytë mund ta shpallë, jo më vonë se në 28 Tetor 2023. Data po vjen, e kemi te dera. Edhe ngjashmëritë mes 28 Tetorit 1940 dhe 28 Tetorit 2023, ja ku i kemi, parasysh. Në 28 tetor 1940, ministri i Jashtëm i Italisë, përmes ambasadorit në Athinë, në zyrën kryeministrit Metaksas dorëzon Ultimatumin për pushtimin e Greqisë. Kryeministri tha ‘Oqi’ (Jo!’. Megjithatë 160 mijë forca ushtarake italiane pushtuan Greqinë. Kjo do të ishte ngjashmëria mes Ligjit të Parë dhe Ligjit të Dytë, në simbolikë datash. Ngjashmëria e dytë e Ligjit të Dytë- 2023 me vitin 1940: Ushtria Italiane sulmoi Greqinë duke kaluar nëpër territorin shqiptar. Në kufirin tonë jugor u gjet i vrarë e me kokë të prerë një bari shqiptar, me origjinë nga Çamëria. Ai ishte Daut Hoxha. Gjithë ajo luftë u bazua mbi këtë ‘krim kundër njeriut’, që merrej në mbrojtje nga ‘monarko- fashistët’, siç i quante fjalori komunist shtetarët grekë dhe italianë të kohës.

Radha të fjalori i vjetër politik vjen natyrshëm, përderisa në rastin e konfliktit të ri Athinë- Tiranë ka disa elementë të ngjashëm me vitin 1940. Elementi më i fundit është ‘koka e Belerit’ në vend të kohës së ‘Hoxhës’. Të dy janë shqiptarë të besimit mysliman; njëri me rrënjë në tokën e Çamërisë (sot Greqi), dhe tjetri me rrënjë në Progonat, Tepelenë. Të dy të përdorur nga Greqia për të ndezur flakën e Ligjit të Luftës. Elementi më i rëndësishëm (ose mrrokulla e luftës) me të cilin Greqia po i jep vetes të drejtë ‘zyrtare’ për të sulmuar Shqipërinë, është ‘Qeveria Kuislinge’. Në Shqipëri ndodhet një ‘qeveri kuislinge’ që i ka dhënë vetes të drejtën që të bëjë luftë, të shkaktojë trazira, të kërcënojë e të sfidojë Ligjin. Kandidatin për kryetar të Himarës, Beleri, Athina ia bashkëngjiti Aleancës mes presidentit Berisha dhe presidentit Meta. Belerin e paketuan dhe e futën në zarfin diplomatik: ‘për Berishën dhe Metën’. Të dy këta nxorën shpatat dhe luftuan kundër shtetit shqiptar, me qëllim që Bejleri të betohej si kryetar i Himarës ‘minoritare’ dhe t’ i shërbehej një konflikti me Greqinë.

Por që të tre, Berisha, Meta dhe Beleri, janë klandestinë- në aspektin zyrtar. As Berisha nuk është president; as Meta- sigurisht. Secili prej tyre dhe të dy së bashku nuk kanë asnjë vlerë ligjore, as morale, të dy janë liderë të një grupimi Anti- Perëndimor. As vetë Beleri nuk është një qytetar me vlerë që mund të kandidojë për kryetar të një komuniteti qytetarësh. Ai është kapur nga vetë Greqia në vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në vitin 1994; është dënuar penalisht për nxitje të urrejtjes kombëtare; nga media në Greqi është quajtur ‘terrorist’ i lidhur me organizatat famëkeqe e të ndaluara me ligj në Greqi. Por Greqia ka ‘të drejtë’ të ngrejë Ligjin e Dytë të Luftës kundër Shqipërisë. Sepse kështu, si në këto kushte, kishte ngritur Ligjin e Parë të Luftës- 1940. Edhe atëherë Monarkia e Greqisë u bazua në një ‘Qeveri kuislinge’ të Shqipërisë. Shqipëria në vitin 1940 kishte qeveri kuislinge, jo thjesht një pjesë siç është sot Berisha. Shqipëria ishte e pushtuar, nuk gëzonte zotësi juridike dhe as aftësi politike për të ndërmarrë lëvizjet e saj në hartën politike të Evropës. Shqipëria nuk kishte sovranitet; as kishte autoritet diplomatik, as autoritet luftarak.

Njësoj si sot dyshja Berisha- Meta ku po bazohet qeveria e Greqisë.

Prandaj mund të ndodhë që sipas marrëzisë së Parë, të krijojë Ligjin e Dytë: bazuar mbi klandestininetin e vitit 2023. Vetë qeveria e Greqisë është ‘qeveri klandestine’ sipas vendimit të Mbretit të Greqisë të Nëntorit 1940, ende në fuqi. Mbreti Konstadin e shpalli Shqipërinë shtet ‘armik’. Gjithashtu Mbreti i Greqisë shpalli qeveri armike ‘çdo qeveri greke që lidh marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë’. Sipas vijës klandestine të qeverisë Greke për të sulmuar Shqipërinë, i bie që vetë qeveria greke është klandestine. Por edhe lidhjet diplomatike Shqipëri- Greqi janë ‘ klandestine’. Ao u lidhën me vendim të juntës ushtarake të Papadhopulit në vitin 1971, juntë që nuk njihet nga ligji. Brenda këtij mish- mashi anakronik, qeveria e Greqisë ‘ka të drejtë’ të shpallë Ligjin e Luftës për herë të dytë. Koka e Belerit do të jetë Totemi i Luftës.