Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamjet magjike nga veranda e një guesthouse në Gjirokastër, ku në horizont shtrihet krenar mali i Çajupit.
Ajo solli përvojën e sipërmarrjes së një familje të zonës, e cila me kursimet nga emigracioni në Greqi, ka çelur guesthouse “Himalaya”.
“Nje tjetër mikëpritje gjirokastrite ka hapur dyert e zemrën në ballkonin përkarshi malit të Çajupit, ndërsa i bën me sy Kalasë së Argjirose”, shkruan Kumbaro.
“Quhet himalayas_guesthouse , ku pata nderin të njihem me Fredin që po investon kursimet e emigracionit ku edhe mësoi hotelerinë e turizmin në Mikonos, dhe të bijën Redinën që administron biznesin e ri që ecën i sigurtë që në muajt e parë”, vijon Kumbaro.
“Zemra mal më behët kur shoh të rinj që e gjejnë rrugën vetë në sektorin privat të turizmit qe është e ardhmja e Shqipërisë së bukur si Redina”, përfundon reagimin e saj në rrjetet sociale Kumbaro.
Ministrja e Kulturës në videon e shpërndarë thekson se sipërmarrje si këto janë shembull për t’u ndjekur.
“Jam në Gjirokastër në një hotel të ri të sapohapur…Është një pikë fantastike ku gjithë pllajën, malin, gjithë Gjirokastrën, madje dhe kalanë, bashkë me skenën ku u zhvillua dhe festivali. Por, pamja më e bukur këtu është Redina. Redina është menaxhere e hotelit, me verandë fantastike, me dhomat të gjitha plot me turistë. Redina bashkë me babain e saj, dhe familjen e saj janë kthyer nga Greqia. Dhe të gjitha kursimet e arritura në Greqi janë kthyer për të investuar në shtëpinë që u la trashëgim gjyshi… Jam shumë e lumtur kur shoh se turizmi është në duart e sigurta të brezit të ri”, tha Kumbaro.
“Turistët duhet të vizitojnë Gjirokastrën, për të prekur shumë cilësi dhe mundësi që nuk i gjeni në asnjë vend tjetër”, tha Redina, duke bashkëbiseduar me ministren.