Nisin sot, datë 16 shtator 2023, aplikimet për punonjësit e administratës publike që përfitojnë nga programi i kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se sistemi i aplikimit për këtë program tashmë është finalizuar dhe ky shërbim mundësohet që prej ditës së sotme në portalin e-Albania, në linkun e mëposhtëm:

https://e-albania.al/ealbaniaservices/useservice.aspx?service_code=15809

Numri i përfituesve për vitin 2023 do të jetë 300 në total, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për tre kategori, konkretisht:
100 për mjekët e sistemit shëndetësor;
100 për punonjësit e Policisë së Shtetit;
100 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.
Programi i strehimit social për kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës për punonjësit e administratës u bë i mundur falë ndryshimeve në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social” të cilat u miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë në qershor 2023.

Këto kredi do të përfitohen me interes 0% për kategoritë e mësipërme.

Në zbatim të këtyre ndryshimeve ligjore, Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime, konkretisht:

Vendimi nr. 468, datë 26.7.2023, “Për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës”, i cili parashikon procedurën, kriteret, apo dokumentacionet që duhet të plotësohen, për të aplikuar për programin e kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës, për punonjësit e administratës publike;

Vendimi nr. 469, datë 26.7.2023, “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike”.