Në Angli, mediat zbulojnë një skenar interesant: Pep Guardiola mund të jetë trajneri i ri i “Tre Luanëve”. Gareth Southgate, tekniku aktual, pritet të largohet nga ekipi përfaqësues pas “Euro2024”, kjo është e sigurt. Drejtuesit e Federatës Angleze po mendojnë që tani për pasuesin e tij dhe emri i Guardiola-s është opsioni që i josh më shumë. Daily Mail shkruan se për momentin është thjeshtë një dëshirë pasi palët nuk kanë nisur negociatat, kjo edhe për vetë faktin që të sigurish shërbimet e Guardiola-s nuk është aspak e lehtë, për më tepër ka dhe shumë kosto.

Guardiola ka një kontratë me Man.City deri më 20 qershor 2025, por nuk përjashtohet mundësia që tekniku spanjoll të largohet. Në fakt, Pep ka thyer prej kohësh rregullin e tij të famshëm, ku nuk qëndronte në krye të një ekipi më shumë se tre vite, ky është viti i 7-të që drejton “qytetarët”. Drejtuesit e FA besojnë se në Botërorin e 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Anglia mund të drejtohet nga Pep Guardiola.

Edhe trajneri i Man.City nuk e ka fshehur kurrë dëshirën që një ditë të drejtojë një ekip përfaqësueses, Anglia mund të jetë stoli më i përshtatshëm për të pasi e njeh shumë mirë ambientin dhe pjesën më të madhe të lojtarëve anglez.