Edi Rama ka thënë se nuk beson që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të pengohet nga Greqia për shkak të Fredi Belerit.

Rama iu referua këtu një date të mundshme si viti 2030 për integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në union.

“Nëse do mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë e mos hyfshim kurrë në BE”, tha Rama gjatë një interviste në Abc News.

Rama përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se çështja është subjekt i organeve të drejtësisë, janë ato që do vendosin çdo ndodhë me të.

“Nuk besoj se do vazhdojë shqetësimi i Greqisë deri në 2030 dhe nëse do mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë, ne mos hyfshim kurrë në BE. Por unë nuk besoj se kjo do mbetet aty, kjo është një çështje që është e pakuptimtë edhe të diskutohet më.

Ne e kemi kryer këtë diskutim, zotëria është subjekt i organeve të drejtësisë, janë ato që do vendosin çdo ndodhë me të.

Sa i përket, përtej humorit, 2030 për mua nuk ka shumë rëndësi, nëse jemi formalisht apo jo në BE, për mua ka rëndësi që ne të bëhemi një vend me të gjithë parametrat e BE për veten tonë, për fëmijët tanë.” u shpreh Rama